Lajme

“Dënim maksimal, hetim deri në provën e fundit”, kërkon RrGK-ja për rastin e vrasjes së gruas në Prishtinë


Foto nga arkivi.

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), ka reaguar pas arrestimit të dy të  dyshuarve për vrasjen e Liridona Murselit njëri prej të cilëve është bashkëshorti i tashmë të ndjerës, Liridona Ademaj, Naim Murseli.

Përmes një komunikate për media nga RRGK-ja është shprehur shqetësim i madh për këtë ngjarje teksa është kërkuar hetim në këtë rast deri në provën e fundit.

Ndaj të akuzuarit, RrGK-ja ka kërkuar dënim maksimal.

“RRGK kërkon hetim të këtij rasti deri në provën e fundit si dhe kërkon dënim maksimal ndaj të akuzuarit.  Gjithashtu, RrGK-ja do të monitorojë reagimin institucional ndaj këtij rasti dhe ndaj të gjitha rasteve të dhunës me bazë gjinore”, thuhet në njoftim.

Teksa, kanë ritheksuar se janë të hapur për bashkëpunimin me viktimat e dhunës.

“RrGK mbetet e hapur ndaj bashkëpunimit dhe ndihmës për viktimat e dhunës me bazë gjinore përmes këshillimit ligjor falas dhe referimit tek institucionet relevante. Nëse keni nevojë për ndihmë juridike falas për rastet e dhunës me bazë gjinore, apo njihni dikë që ka nevojë, na kontaktoni në numrin: 048 105 800”.

Ndaj Qendrës për Punë Sociale, është bërë thirrje që të angazhohet për të siguruar mirëqenien e fëmijëve.

Çka ndodhi?  

Dy persona janë arrestuar të cilët dyshohet për vrasjen e Liridona Ademaj,  të mërkurën me armë zjarri në Prishtinë përkatësisht në rrugën “Dalip Alshiqi”, derisa trupi i saj është gjetur në një veturë.

Nga mediat është raportuar se njëri nga të arrestuarit është bashkëshorti i saj, Naim Murseli – këshilltari i ish-presidentit të Kosovës, Behgjet Pacolli.

Lajmin për arrestimin e dy personave e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti.

“Pas përfundimit të ekzaminimit të vendit të ngjarjes, janë ndërmarrë veprimeve intensive hetimore të cilat kanë rezultuar në arrestimin e dy personave të dyshuar lidhur me rastin e sipër shënuar”, ka thënë Ahmeti për AP.

Rasti është duke u hetuar si vrasje “me armë zjarr”.

Ngjarja e rëndë që kishte ndodhur më 29 nëntor fillimisht dyshohej se kishte të bënte me plaçkitje nga e cila arritën të shpëtonin bashkëshorti dhe dy fëmijët e viktimës.

“Rreth orës 20:20, kemi pranuar informatën për të shtëna me armë në rrugën “Dalip  Alshiqi” në Prishtinë. Policia si dhe mjekët emergjent, menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku në një veturë kanë hasë  një person pa shenja jete”, kishte thënë Ahmeti me 29 nëntor.

Ahmeti bëri me dije se vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.

“Mbështetur në informacionet e para, dyshohet se bëhet fjalë për vrasje me armë zjarri”.

Ndërsa, policia në koordinim me prokurorinë, ka nisur hetimet dhe ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore