Shqipëria

Denar Biba miratohet në krye të Autoritetit të Konkurrencës nga Komisioni i Ekonomisë, opozita dhe Braçe kundër


Në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave të hënën e 6 dhjetorit në mbledhjen e radhës u miratua Denar Biba si kreu i Autoritetit të Konkurrencës.

Pavarësisht se u votua pro, opozita dhe deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe kanë pasur një reagim kundër.

Kjo për faktin, se sipas tyre Biba është akuzuar nga një anëtar i Gjykatës së Strasburg-ut.

“Ne absolutisht nuk gjykojmë që zotëria do të ketë besimin e një pjese të mirë, jo vetëm të opozitës por edhe shoqërisë”, theksoi kreu i Grupit Parlamentar të demokratëve, Alfred Rushaj.

Ky i fundit vijoi në fjalën e tij se Bibaj duhet të paraqiste platformën e vetë dhe të tregonte vizionin e tij për të drejtuar këtë institucion.

“Institucioni i konkurrencës është shumë i rëndësishëm”, ravijëzoi ai.

Ndërsa ish-zëvendëskryeministri Braçe në fjalën e tij ka thënë se, “Denar Biba nuk ka qenë asnjëherë funksionar i PS-së, as anëtar, as deputet i saj as kryetar organizate. Detyra e kryetarit të Komisionit të Zgjedhjeve nuk është politike, është kushtetuese”.

Më tej ai vijoi duke thënë se ka “rezerva” për sa i përket detyrave që ka marrë përsipër ndër vite Bibaj.

“Zotëria ka qenë në një detyrë shtetërore dhe në këtë detyrë kam rezervat e mia, për të gjithë institucionin e Prokurimit Publik të asaj kohe që është shkarkuar i gjithi. Nuk e kam votuar as kur u bë anëtar i Autoritetit të Konkurrencës. Kam rezerva për integritetin e zotërisë”, theksoi Braçe.

Deputeti e ka mbyllur duke e vlerësuar negativisht punën e bërë deri më tani të Autoritetit të Konkurrencës.

“Po ua them që për mua vlerësimi është negativ, nuk është kuptuar fare roli i atij institucioni”, e mbylli Braçe.

Tashmë pritet votëbesimi në Kuvendin e Shqipërisë për emërimin zyrtar të Denar Bibaj në krye të Autoritetit të Konkurrencës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore