Shqipëria

Denaj: 2.42 miliardë lekë për projektin e identifikimit elektronik


Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, në fjalën e saj në seancën plenare u shpreh se në Kuvend ka kaluar një buxhet shumë i rëndësishëm për ringritjen ekonomike.

“Me tatimfitimin 0 për gjithë bizneset e vogla, me rritjen e pragut të TVSH-së, ku të gjitha bizneset me qarkullim deri në 10 milionë lekë nuk do të paguajnë TVSH-në, me një pagë minimale të rritur deri në 300 mijë lekë, me investime publike me 7.2% të PBB-së, me ndihmë ekonomike të dyfishuar, kemi kaluar buxhetin”.

Ajo, gjithashtu, theksoi akordimin e një fondi për shëndetësinë.

“Sot jemi dëshmitarë të nisjes së një vaksinimi në të gjithë qytetet e Shqipërisë, duke synuar jo vetëm ruajtjen e jetës së shqiptarëve, por edhe një perspektivë drejt hapjes së ekonomisë. Megjithatë, ky nuk është vetëm një vit i ringritjes ekonomike, i daljes nga Covid-19 dhe Rindërtimi, por është një vit zgjedhor”.

Një tjetër pikë e cekur nga ministrja është ndërmarrja e angazhimeve në përputhje me detyrimet që dalin nga Kodi i Ri Zgjedhor.

“Ndryshimet në këtë Akt Normativ janë të lidhura ngushtë me procesin e zgjedhjeve të përgjithshme, me angazhimet e shpenzimet që burojnë pikërisht në zbatim të Kodit Zgjedhor të miratuar së fundmi, për të mundësuar një nga shtyllat kryesore të reformës zgjedhore”.

Sipas saj, është akorduar fondi shtesë prej 2.42 miliardë lekë në programin përkatës të KQZ për financimin e projektit, identifikimi elektronik i zgjedhësve për implementimin në zgjedhjet e 25 prillit.

“Është reflektuar një rritje e tij prej 1 miliard lekë, në kuadër të shpenzimeve eventuale shtesë që mund të burojnë nga implementimi i përcaktimeve të Kodit të Ri Zgjedhor”.

Lidhur me të ardhurat tatimore, Denaj tha se është reflektuar rritja e tyre në të njëjtën vlerë, pra 2.42 miliardë lekë, përkatësisht në zërin e tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH), me qëllim balancimin e rritjes së shpenzimeve të sipërcituara.

Ministrja tha gjithashtu se vlerësimi që ka rezultuar në raport me të ardhurat ka qenë më optimist sesa parashikimi më i keq dhe njëkohësisht në programin e 2021 sigurisht rritja e të ardhurave është e konsiderueshme, ambicioze, por edhe është realiste.

“Rritja prej 3.42 miliardë lekë amortizohet plotësisht nga kjo perspektivë e vlerësimit të të ardhurave. Dua të kujtoj sigurisht, që ruhen të pandryshuar të gjithë parametrat makro-fiskalë, duke ruajtur të pandryshuar elementët e borxhit dhe të deficitit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore