Lajme

Demokratët mund të kenë humbur, por nuk “u dërrmuan”


Konsiderata e parë që mund të merret, ndonëse numërimet vazhdojnë ende, është se Demokratët në SHBA kanë humbur, por nuk u dërrmuan.

Joe Biden, siç pritej, del i tkurrur nga zgjedhjet dhe do të duhet të negociojë me opozitën në Kongres.

Por presidenti nuk u “poshtërua” siç kishte shpresuar Trump.

Pasoja politike më logjike për Biden tani është se do të jetë në gjendje të vazhdojë strategjinë e tij në dy nivele.

Nga njëra anë, do të duhet të kërkojë me më shumë bindje një marrëveshje me sektorin e moderuar të republikanëve për prioritetet e vendit: inflacioni, energjia, ndryshimet klimatike, ndihma për Ukrainën.

Nga ana tjetër, do mund të dalë haptazi duke rikandiduar për vitin 2024, duke i mbyllur kështu gojën pretendentëve të tjerë të qendrës.

Paradoksalisht, pamja mund të paraqitet më konfuze në kahun e fituesve.

Duke parë hartën e qarqeve duket se kandidatët “Trumpist” nuk kanë qenë triumfuesë.

Në të vërtetë, veçanërisht në Dhomën e Përfaqësuesve, shumë konkurrentë ekstremistë janë mundur në shtetet “në dyshim”, si Ohio dhe Penssylvania.

Mund të imagjinojmë se kjo nuk do të ndryshojë planet e Donald Trump.

Më 15 nëntor ai do të shpallë kandidaturën e tij për Shtëpinë e Bardhë.

E treta herë radhazi. Lajm i marrë tashmë si i mirëqenë në kështjellën politike të Washington-it.

Do t’u mbetet liderëve parlamentarë të partisë republikane të vendosin se si të menaxhojnë shumicën e mundshme në Dhomë.

Do bëjnë dy vjet sulme të pandërprera, hetime parlamentare kundër Biden? Apo një legjislaturë produktive, për t’i treguar vendit se republikanët qeverisin më mirë se demokratët?

Hipoteza e parë është ajo e Trump-it, e dyta ekziston në letër, por ende nuk ka një lider të njohur.

Në botën konservatore, prej muajsh po zhvillohet një konfrontim, ndonjëherë edhe i ashpër dhe që, në shumë mënyra, të kujton dinamikën e vitit 2016.

Asokohe, establishment-i republikan u përpoq të frenonte ngritjen e Trump-it.

Por nuk arriti të drejtohej në një kandidat të vetëm.

Senatorët Marco Rubio i Floridës dhe Ted Cruz i Texas-it donin të qëndronin në garë deri në fund.

Trump i tejkaloi ata një nga një. Sot propozohet sërish e njëjta temë.

Udhëheqësit e Washington-it të GOP-it, “Partia e Vjetër e Madhe (republikanëve)”, po mendojnë se kush mund të bllokojë kthimin e Donald Trump.

Senatori numër një Mitch McConnell, ish-zëvendës presidenti Mike Pence dhe të tjerë e konsiderojnë atë nëse jo “një udhëheqës i grushtit të shteti”, siç mendojnë demokratët, sigurisht një figurë edhe më toksike dhe përçarëse për vendin se sa ishte tetë apo katër vjet më parë.

Problemi është se, tani si atëherë, po rezulton e vështirë të ndërtohet një bllok kompakt anti-Trump.

Megjithatë, ka akoma margjina politike dhe sociale për të tentuar manovrën.

Sondazhi i fundit i porositur nga “NBC TV” tregon se 62 për qind e votuesve republikanë nuk identifikohen domosdoshmërisht me Trump-in.

Në janar 2021, kjo përqindje ishte vetëm 46 për qind.

Është edhe lideri alternativ, guvernatori i Floridës Ron DeSantis, 44 vjeç, hiper-konservator, anti-aborcionist i ngurtë, i aftë, në teori, të trashëgojë votat e bazës Trumpist-e.

DeSantis, fitoi lehtësisht në Florida, duke u rikonfirmuar si guvernator.

A do të jetë ai “federatori” i një koalicioni anti-Trump? Ish-presidenti e ka ndjerë tashmë rrezikun, duke i vënë një pseudonim nënçmues: “Sanctimonous”, hipokrit, fanatik.

Por në këtë rast, konkurrentët e tjerë të mundshëm duhet të bëjnë një hap prapa dhe lista është e gjatë. Bëhet fjalë për Pence, sërish Rubio, ish-sekretari i shtetit Mike Pompeo, ish-ambasadorja e OKB-së Nikki Haley.

Por ka një çështje tjetër që mund të funksionojë në favor të Trump-it.

Në javët e ardhshme, Prokurori i Përgjithshëm, Merrick Garland, pritet të padisë ish-presidentin në lidhje me dokumentet e klasifikuara të mbajtura ilegalisht në rezidencën Mar-a-Lago.

Trump tashmë ka bërë të ditur se do të thërriste bazën e tij për t’u mobilizuar.

Ligjvënësit Trumpist që mund të kryesojnë komitetet gjyqësore si kongresmeni Jim Jordan dhe senatori Ron Johnson, kanë thënë tashmë se do të hetojnë FBI-në dhe Departamentin e Drejtësisë.

Si do të sillen republikanët e tjerë? Ndoshta do të përshtaten për të mos i dhënë një avantazh demokratëve.

Në atë pikë, megjithatë, do të ishte më e ndërlikuar t’u shpjegosh votuesve pse ish-presidenti nuk është i përshtatshëm për të qeverisur vendin.

E komplikuar, por jo e pamundur, veçanërisht nëse hetimi më 6 janar do të përfundonte me aktakuzën ndaj Trump-it.

Autori Giuseppe Saracina është gazetar i Corriere della Sera nga Washington, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore