Bota

Demokratët marrin zyrtarisht kontrollin e Senatit në SHBA


Ardhja në detyrë e zëvendëspresidentes, Kamala Harris, i jep automatikisht epërsinë demokratëve, në Senatin amerikan të ndarë përgjysmë, 50 me 50.

Më parë, republikanët kishin shumicën, por me fitoren e demokratëve Raphael Warnock dhe Jon Ossoff në shtetin e Georgia-s, u vendos baraspesha e plotë.

Betimi i Kamala Harris-it në detyrën e saj të re, do ta bëjë votën e saj përcaktuese për vendimet e Senatit. Për demokratët ky është lajmi më i mirë, pasi ata kontrollojnë edhe dhomën e Kongresit.

Kështu, presidenti, Joe Biden, do ta ketë më të thjeshtë implementimin e reformave që do kalojë.

Drejtuesi i mazhorancës së Senatit do të jetë demokrati Chuck Schumer. Gjatë katër viteve të presidencës së Trump-it, drejtues i mazhorancës ka qenë republikani Mitch McConnell.

Vendimi i parë i Senatit pas betimit të Harris, ishte konfirmimi i Avril Haines, si drejtuese e Komitetit të Inteligjencës në SHBA. Haines do të jetë gruaja e parë që e drejton këtë agjenci.

Schumer-i ndërkohë, bëri thirrje për bashkëpunim midis palëve. “Senati funksionon më mirë kur punojmë bashkë”, tha Schumer-i. “Për të shpërblyer besimin që amerikanët na kanë dhënë, duhet të jemi një”.

Një çështje shumë me rëndësi është dhe kërkesa e shkarkimit të ish-presidentit Trump. Pavarësisht faktit se ai nuk është më president, ekziston mundësia për dënimin e tij. Arsyetim është nxitja e protestave të Capitol-it dhe vënia në rrezik të sigurisë kombëtare.

Pavarësisht nëse kjo kërkesë do të kalojë ose jo në Senat, një gjë është e sigurt: Demokratët do të kenë në dorë pushtetin e plotë të politikë-bërjes amerikane. Joe Biden ka fatin e të qenit një president që ka Senatin dhe Kongresin pro./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore