Lajme

Deliu: “Kurti vuan nga halucinacionet”


Deputetja e Partisë Demokratike e Kosovës, Blerta Deliu, ka thënë se “kryeministri, si duket ka filluar të vuajë nga halucinacionet, sepse po sheh çka nuk po sheh asnjë qytetar”.

Këto kritika për Kurtin nga Deliu vijnë pasi kryeministri tha të shtunën se qeveria e tij ka mundësuar hapjen e 40 mijë vendeve të punës, derisa investime e huaja direkte kanë kapur shifrën e mbi 400 milionë eurove.

Por – sipas saj, qytetari i Kosovës po sheh vetëm varfërim të shportës, papërballueshmëri të kapërcimit të muajit për shkak të inflacionit të lartë dhe shpejt do të shoh më shumë terr sesa dritë nga reduktimet e paralajmëruara.

“Përsëritja 100 herë e gënjeshtrës s’e mbush shportën, as s’i ndez dritat”, ka shkruar Deliu në Facebook.

Ndryshe, kreu i Qeverisë theksoi se në vitin 2021 kishim të regjistruara 25 mijë vende pune më shumë sesa ai pararendës, kurse nga janari deri në gusht të këtij viti kemi 15 mijë vende pune më shumë.

“Në periudhën janar-korrik të këtij viti vlera e investimeve të huaja direkte ka tejkaluar vlerën prej 400 milionë euro”, vazhdon ai me shpalosje.

“Pra, 47% më shumë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2021 dhe 99% me shumë sesa në vitin 2020”.

Këto shifra nga kryeministri vijnë në kohën kur ka ankesa të shumta për vështirësi të bizneseve në Kosovë.

Madje, siç u bë e ditur, Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani, edhe i kishte shkruar letër Kurtit dhe ministres së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, duke i dhënë alarmin se “shumë kompani rrezikojnë të falimentojnë”.

Por, kryeministri flet për një realitet krejt tjetër.

Ai në statusin e tij e thotë se ka progres të madh ekonomik.

Ky progres, sipas Kurtit, “është rezultat i politikave të duhura dhe qeverisjes së mirë”.

Shifrat e Albin Kurtit: Kemi hapur 40 mijë vende pune – investimet e huaja për 1 vit tejkalojnë 400 milionë euro

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore