Financa

Shifrat e Albin Kurtit: Kemi hapur 40 mijë vende pune – investimet e huaja për 1 vit tejkalojnë 400 milionë euro


Albin Kurti

Për një vit e gjysmë Albin Kurti thotë se qeveria e tij ka mundësuar hapjen e 40 mijë vendeve të punës, derisa investime e huaja direkte kanë kapur shifrën e mbi 400 milionë eurove.

Këto shifra ka dhënë kryeministri i Kosovës në një postim të vonë të së shtunës mbrëma.

“Në vitin 2021 kishim të regjistruara 25 mijë vende pune më shumë sesa ai pararendës, kurse nga janari deri në gusht të këtij viti kemi 15 mijë vende pune më shumë”, shkruan Kurti në Facebook.

“Në periudhën janar-korrik të këtij viti vlera e investimeve të huaja direkte ka tejkaluar vlerën prej 400 milionë euro”, vazhdon ai me shpalosje.

“Pra, 47% më shumë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2021 dhe 99% me shumë sesa në vitin 2020”.

Këto shifra nga kryeministri vijnë në kohën kur ka ankesa të shumta për vështirësi të bizneseve në Kosovë.

Madje, siç u bë e ditur, Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani, edhe i kishte shkruar letër Kurtit dhe ministres së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, duke i dhënë alarmin se “shumë kompani rrezikojnë të falimentojnë”.

Por, kryeministri flet për një realitet krejt tjetër.

Ai në statusin e tij e thotë se ka progres të madh ekonomik.

Ky progres, sipas Kurtit, “është rezultat i politikave të duhura dhe qeverisjes së mirë”.

Për këtë rritje thotë se ka shifra, megjithëse nuk ka treguar burimin e atyre shifrave që i ka listuar.

Kryeministri është lëvduar edhe për qarkullimin e shtuar ekonomik gjatë këtij viti, duke shkruar se “qarkullimi i bizneseve për periudhën janar-gusht 2022 ka shënuar rritje prej 21.6% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021 dhe 67.9% krahasuar me vitin 2020”.

Por, ekonomistët thonë se kjo ndodhë për faktin e vetëm se ka inflacion dyshifrorë në Kosovë dhe bizneseve u rritet qarkullimi, por fitimi u mbetet i njëjtë ose edhe më i vogël.

Në statusin e kryeministrit ka pasur shumë komente nga qytetarët dhe një pjesë e tyre kanë ironizuar me Kurtin.

“Po po, ka rritje për toke”, thotë njëri nga komentuesit, derisa një tjetër shkruan se “po e lexoj edhe njëherë këtë status e po kthehem nga Austria”.

“Po ku po e sheh këtë rritje, njerëzit çdo ditë po ikin?”, pyet një tjetër.

Kurse një nga komentuesit ka ironizuar me shaka në komentimin e tij duke i shkruar Kurtit se “ti edhe pikë çuditësen e çuditë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore