Lajme

Deklarohet i pafajshëm personi që tentoi ta sulmojë Rrahman Jasharajn


Musli Rexhepi, i cili ishte akuzuar se tentoi ta sulmonte fizikisht kryetarin e Sindikatës së Bashkuar, Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj në shkollën “Ismail Qemali” në Prishtinë është deklaruar i pafajshëm në seancën dëgjimore në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Kjo është konfirmuar pas leximit të aktakuzës nga prokurori Blerim Igrishta.

Ndërkaq, deklarimin e të akuzuarit e mbështeti edhe mbrojtësi i tij, avokati Tomë Gashi ka raportuar ‘Betimi për Drejtësi’.

“Konsiderojmë se është plotësuar ky kusht ligjor duke pasur parasysh mënyrën dhe rrethanat në të cilën është kryer vepra penale, si dhe peshën e kësaj vepre penale, e po ashtu faktin ku dihet se tani i akuzuari pasi kishte shkuar në shkollën e lartecekur dhe ishte futur në ambientet ku po mbahej greva seriozisht e ka kanosur të dëmtuarin dhe të njëjtin ka tentuar që ta sulmojë, por se është ndalur nga të pranishmit”, tha prokurori.

Grevë në shkolla.

Pas tentim sulmit Jasharajt, Porkuroria Themelore në Prishtinë kishte nisur hetimet.

Lajmin për Albanian Post e kishte konfirmuar, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj, e cila tha se rasti është iniciuar në drejtim të veprës penale “Kanosja”.

“Ju njoftojmë se me urdhër të prokurorit është iniciuar rast në drejtim të veprës penale ‘Kanosja’, si dhe janë autorizuar policia për t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me këtë çështje”, ka thënë Ulaj.

Rasti ka ndodhur mëngjesin e 5 shtatorit në shkollën fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë, ku një qytetar tentoi ta sulmojë Jasharajn.

“Oh armik, oh armik” i është drejtuar i moshuari Jasharajt teksa ishte deklaruar si mësues.

Jasharaj bashkë me disa sindikalistë kanë qëndruar për disa orë në shkollën fillore “Ismail Qemaili”, teksa greva në shkollat e Kosovës është duke vazhduar që nga 25 gushti.

Të gjithë kanë të njëjtën kërkesë – rritje të pagës prej 100 eurove. Por, akoma pa përfunduar një ditë e grevës, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, doli me vendim që grevistët të pezullohen nga e drejta për pagesë, pasi nga ta po kërkohet detyrim i bindjes për të punuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore