Shqipëria

Deklarata e Ipeshkve ” Kush shet votën ka shitur dinjitetin” përshëndetet nga figurat e rëndësishme shtetërore


Gjatë një deklarate Ipeshkvijtë e Kishës katolike tё Shqipërisë kërkojnë garantimin e votimeve të ndershme dhe transparente, për zgjedhjet e 25 prillit. Ata kanë thënë që tё respektohet çdo votë e çdo votues, ashtu sikurse edhe rezultati final.

Ipeshkvijtë e Shqipërisë i “ftojnë të gjithë të merrnin pjesë në votime”, për t’ua besuar të zgjedhurve tё rinj sfidat e ndryshme si “pandemia e COVID-19, pёrforcimi i mëtejshëm i institucioneve si Parlamenti, reformat në drejtësi, eliminimi i korrupsionit, plaga e të rinjve dhe e familjeve që po e braktisin Shqipërinë”.

Kush e shet votën me para, pohojnë Ipeshkvijtë e Kishës katolike tё Shqipërisë , ka shitur dinjitetin e vet dhe atë të familjes, si dhe nuk ka më zë për të kërkuar llogari.

Për këtë deklaratë ka reaguar edhe Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim. Kjo e fundit me një status në Twitter ka shkruar se mesazhi i Ipeshkvijtë e Shqipërisë për shitëblerjen e votave është “i fuqishëm”.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, gjithashtu ka përshëndetur mesazhin e Konferencës Ipeshkvnore tё Shqipërisë. Ai ka shkruar që ky mesazh “inkurajon pjesëmarrjen masive të qytetarëve në zgjedhjet historike të 25 prillit, një e drejtë dhe detyrim moral ndaj momentit më të rëndësishëm të jetës demokratike dhe së ardhmes evropiane të Shqipërisë”.

Meta bëri thirrje që mos ta shesin votën “por të votoni me vullnet të lirë dhe për ata kandidatë, të cilët duhet ta meritojnë besimin tuaj!”

“Kush falsifikon, kush tenton të tjetërsojë dhe të prekë votën, do ta ketë vendin në burg!”, përfundoi mesazhin e tij presidenti.

Për deklaratën Ipeshkvijve reagoi edhe komisioneri shtetëror i zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i cili shkruan se “I bashkohem apelit të  Ipeshkvijnjve të Kishës katolike tё Shqipërisë kundër shitblerjes së votës dhe praktikave negative që cënojnë shprehjen e vullnetit të lirë të qytetarëve”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore