Shqipëria

Deklarata e Belerit për “helenizimin në Himarë”, reagon Rama dhe Idrizi


Në prag të zgjedhjeve vendore të 14 majit, situata politike në qytetin e Himarës është përfshirë nga polemikat pas deklaratave të kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Dhionisios Alfred Petro Beleri.

Beleri ka garuar për PBDNJ-në në zgjedhjet e vitit 2015 dhe fitoi 27 për qind të votave.

Gjatë një interviste për gazetën greke “Protothema”, mbi faktin se sa të rëndësishme janë zgjedhjet e 14 Majit për “helenizmin” në Himarë, Alfred Beleri u përgjigj se “ne kemi jetuar si grekë prej mijëra vitesh dhe kjo nuk do të ndryshojë”.

“Por është jetike për helenizmin e Himarës që t’i tejkalojë pengesat që e ndalojnë të ketë mundësi, punë të mira, të gëzojë pasurinë që na është mohuar prej 60 vitesh, për të pasur arsimim në gjuhën e nënës për të gjithë dhe për të shkëlqyer, sepse e meriton, në përparimin e procesin e anëtarësimit të Shqipërisë. (në BE). Prandaj dhe zgjedhja ime do të lehtësojë rrugën e helenizimit me mbështetjen e të gjitha forcave politike të Greqisë, të cilat i falënderoj me gjithë zemër, do të ndihmojë në bashkëpunimin mes dy vendeve, një kusht i nevojshëm për përparimin tonë”, deklaronte Beleri.

Beleri e përsërit disa herë premtimin për “helenizimin” e Himarës gjatë intervistës, pa shpjeguar qartë se çfarë do të thotë konkretisht me këtë term.

“Ne duam të shohim vendin tonë të përparojë dhe helenizmi i tij të përparojë në vend të tij”, vëren ai më tej duke hedhur edhe akuza ndaj kundërshtarit të tij, Jorgo Goro.

Në Himarë, Jorgo Goro garon në zgjedhjet e 14 majit 2023 për mandatin e tij të katërt.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, reagoi në median sociale Facebook duke e konsideruar Belerin “një klloun” të dyshes Berisha-Meta.

“Ja kllouni që me mbështetjen e ‘Salike Floririt’ kërkon të marrë zvarrë mbrapa Himarën; shëmbëlltyra më kuptimplotë e shportës opozitare që ka mbledhur bashkë karavidhet më të shëmtuara të historisë politike të Shqipërisë”, shkruan ai.

Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi reagoi gjithashtu në lidhje me intervistën e dhënë nga kandidati i “Bashkë Fitojmë”.

Përmes një statusi në Facebook, ai u shpreh se asnjë kandidat i ligjshëm nuk do të guxonte të përfshinte në platformën e tij elektorale “helenizimin e Himarës”.

Idrizi kërkoi nga organet e drejtësisë që të nisin hetimin në lidhje me rastin, pasi tha se po shkelet integriteti territorial i vendit dhe Kushtetuta.

“Refuzova ta mendoja si të vërtetë fillimisht intervistën e Fredi Belerit për gazetën greke Protthotema, sepse asnjë kandidat i ligjshëm nuk do guxonte të fliste e të shtronte si platformë të tijën helenizimin e Himarës…Urgjentisht nxisim organet e drejtësisë të nisin hetimin për ide të tilla që cenojnë integritetin territorial, Kushtetutën e tentojnë tjetërsimin historik e kulturor të jugut të vendit”, thekson kreu i PDIU-së.

Kujtojmë që, pjesëmarrja në votime ra në vetëm 26 për qind në zgjedhjet e vitit 2021, vetëm 5 mijë e 900 votues – një nga nivelet më të ulëta në vend.

Ndonëse socialistët me të vërtetë kanë fituar 59 për qind të votave më 2021, Himara është një bashki e vogël me numra të vegjël.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore