Lajme

Deçan: Edhe analizat mikrobiologjike të ujit – negative


Negative kanë rezultuar edhe analizat mikrobiologjike të mostrave të ujit në Decan.

Adnora Nurvoja nga Instituti kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë ka bërë të ditur se as këto analiza nuk flasin për infektim të ujit në komunën e Decanit.

Nëgative kanë dalë edhe analizat e para fiziko kimike, të cilat iu bënë ujit të pijes në këtë komunë, pasi filluan të paraqiten për shërbim emergjënte qytetarë me simptoma të helmimit.

“Tani kjo na len më shumë hapësirë për të gjurmuar akoma, për të gjetur etiologjinë”, ka thënë në një konferencë për medie Drejtori i IKSHPK-së Naser Ramadani.

Madje Ramadani shton se pavarësisht këtyre rezultateve akoma nuk janë shuar dyshimet se helmimi i më shumë se 1 mijë e 500 qytetarëve të komunës së Decanit të ketë ardhur nga uji.

“Që ka dalë analiza mikrobiologjike në rregull nuk përjashton mundësinë prapë, që kjo të ketë ardhur nga uji, por janë zgjeruar pistat e hetimit”.

Pas tri ditësh përballje me simptoma të helmimit dhe mbingarkim të qendrave emergjente spitalore të Decanit, bëri që Kryetari i Decanit, Bashkim Ramosaj të shpallë gjendje të jashtëzakonshme.

Duke ngritur edhe dyshimet e para se uji mund të jetë helmuar qëllimshëm.

Kjo më pas solli gati të gjithë udhëheqësit e institucioneve në këtë komunë.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se është angazhuar që të marrë të gjitha masat për t’i siguruar kërkesat elementare emergjente.

“Kam përgatitur një listë me prioritet absolut që do të trajtohet nga ministria e shëndetësisë, jo vetëm me barna por edhe me pajisje e çka do që ka nevojë komuna”, bëri të ditur Vitia.

Ndërsa Drejtorin e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik në Kosovë, Naser Ramadanin, e shqetëson diçka tjetër. Të gjejë burimin e infeksionit.

“Rezultatet laboratorike që kanë dalë sot, flasin për momentin se nuk kemi as një pistë të helmimit hibrid, kjo nuk do të thotë që mund të jenë infeksione hibride, por do të bëjmë analiza edhe të pacientëve”.

Institutit kombëtar dhe institutit të shëndetit publik të Deçanit të martën iu bashkuan në ndihmë edhe ekipe nga Instituti i Shëndetit Publik të Prizrenit, Pejës e Gjakovës.

“Të gjitha pistat e hetimit që flasin me ngjashmërinë në simplotatologjinë klinike, qoftë me ushqim qoftë me rrugë hibride janë në hulumtim e sipër, në hulumtim është edhe ujësjellësi”, tha ndër të tjera drejtori i IKSHPK-së Naser Ramadani.

Ndërsa Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nga Deçani u bëri thirrje organeve të hetuesisë dhe drejtësisë që me urgjencë ta trajtojnë këtë rast.

“Pres që institucionet e drejtësisë dhe hetuesisë ta trajtojnë rastin me urgjencë sepse kjo ka të bëj me shëndetin publik të qytetarëve dhe ka nevojë që sa më parë të kuptohet”.

Ndërsa zëvendës Kryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla e cila aty erdhi si përfaqësuese e qeverisë, në mungesë të kryeministrit, garantoi për mbështetje me të gjitha kapacitetet funksionale.

“Si qeveri më lejoni që t’iu them se të gjithë potencialin tonë të gjitha mundësitë tona I kemi në dispozicion për tejkalimin e kësaj situate”, tha ndër të tjera Gërvalla.

Nga e diela, në Deçan janë shënuar edhe dy raste të vdekjeve të dyshimta, me simptoma të ngjashme të helmimit.

Për këto rast Prokuroria e Pejës ka filluar hetimet.

Zëdhënësi i kësaj Prokurorie, Shkodran Nikci, tha për Albanian Post se prokurori “kujdestar ka urdhëruar që trupat e pajetë të dërgohen për obduksion në Institutin Mjeko-Ligjor, për të kuptuar më shumë lidhur me rrethanat e vdekjes se tyre”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore