Lajme

“De facto apo de jure” Berlini kaherë i ka kërkuar Beogradit njohjen e Kosovës, thotë Bieber


Profesori në Universitetin e Grazit, Florian Bieber

Gjermania me vite të tëra i ka kërkuar Beogradit njohjen e Kosovës, ka thënë eksperti i çështjeve të Ballkanit, profesori në Universitetin e Grazit, Florian Bieber, raportoi N1.

Sipas tij, se a bën Beogradi njohjen ndaj Kosovës de facto apo de jure, kjo çështje “mbetet fleksibile”.

Mes tjerash, ai ka vlerësuar se Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ende mendon se mund t’ia arrijë t’i shmanget vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë.

“Nëse nuk ka trysni të qartë nga BE dhe vendet anëtare si Gjermania, dyshoj se Vuçiç sheh ndonjë benefit nga vendosja e sanksioneve. Është e qartë se ai e ka luajtur këtë lojë për një kohë, duke shpresuar t’u shmanget sanksioneve”, tha ai.

Mes tjerash, Bieber tha se nëse analizohen raportimet mediale në Serbi rreth agresioni rus mbi Ukrainën, është e qartë se nuk është duke u përgatitur terreni për vendosje të sanksioneve ndaj Rusisë.

Në vizitën e fundit të kancelarit federal gjerman, Olaf Scholz, ai tha se Serbia përveç që pritet të harmonizojë politikën e jashtme me atë të BE-së, tha gjithashtu se është e pamendueshme që Serbia të anëtarësohet në unionin evropian pa e njohur shtetësinë e Kosovës.

Një deklaratë e tillë e Scholz, ka thënë Aleksandër Vuçiç, ishte “befasuese” për Serbinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore