Lajme

DASH: Kosova nuk u koordinua me Washington-in për shpalljen e dy grupeve serbe si organizata terroriste


Departamenti amerikan i Shtetit deklaroi se Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Washington-in sa i përket shpalljes së “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës së Veriut” si organizata terroriste.

Lajmi u bë i ditur nga “Radio Evropa e Lirë”, duke cituar një zëdhënës të diplomacisë amerikane.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të shpallur këto grupe si organizata terroriste nuk ka qenë i koordinuar me SHBA-të dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë. Ky vendim do të duhej të koordinohej me partnerët më të ngushtë ndërkombëtarë të Kosovës, përfshirë ata të cilët kanë përgjegjësinë primare për të siguruar stabilitetin e Kosovës”, tha një zëdhënës i DASH-it për Radion Evropa e Lirë.

DASH i bëri sërish thirrje Kosovës “që të përmbahet nga hapat e njëanshëm përderisa ne po punojmë me të gjitha palët për të zgjidhur krizën aktuale”, shtoi reagimi i diplomacisë amerikane.

Më herët, Qeveria e Kosovës etiketoi dy grupe serbe si organizata terroriste të enjten.

Kryeministri Albin Kurti tha në një seancë të kabinetit se Mbrojtja Civile (Civilna Zastita) dhe Brigada e Veriut (Severna Brigada) paraqesin një nivel të lartë “kërcënimi dhe rreziku”.

Ai tha se të dy grupet kishin “rekrutuar dhe trajnuar anëtarë se si të përdornin armët dhe të mbanin metoda të tjera luftarake në bazat ushtarake në Serbi me qëllim që të kryenin sulme ndaj institucioneve vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë”.

Serbët, të cilët përbëjnë shumicën në veri të Kosovës, thonë se Civilna Zastita u shpërbë në vitin 2015 kur serbët ranë dakord t’i bashkohen institucioneve të Kosovës duke përfshirë policinë dhe gjyqësorin dhe morën pjesë për herë të parë në zgjedhjet lokale.

Nuk është e qartë se kë përfaqëson Severna Brigada, kur është themeluar apo si funksionon.

Vitin e kaluar grafite të nënshkruara nga grupi u shfaqën në rrugët në veri.

Nuk pati asnjë reagim të menjëhershëm nga Beogradi.

“Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” shpallen organizata terroriste nga Qeveria e Kosovës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore