Shqipëria

DASH kërkon zbatimin e ligjit në rastin Beleri


Departamenti amerikan i Shtetit ka reaguar lidhur me arrestimin e kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” në Himarë, Fredi Beleri, i cili gjenden nën akuzën e shit-blerjes së votave.

Në një prononcim për gazetën greke iEfimerida, një përfaqësues nga Washingtoni ka bërë me dije edhe qëndrimin zyrtar të diplomacisë amerikane, lidhur me çështjen.

“Ne kemi kërkuar vazhdimisht nga autoritetet dhe partitë politike që të sigurojnë që votuesit të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre themelore demokratike për të shprehur vullnetin e tyre përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, shkruhet fillimisht aty.

Më pas, përmendet fakti se është e rëndësishme që të gjithë të respektojnë ligjet dhe rregullat që rregullojnë zgjedhjet, si dhe rregullat ndërkombëtare, duke përfshirë ndalimin e blerjes ose shitjes së votave.

Teksa, autoriteteve shqiptare, u është bërë thirrje që të zbatojnë të gjitha ligjet dhe rregulloret në mënyrë të drejtë dhe të barabartë.

“Zyrtarët e ambasadës amerikane po i bashkohen institucioneve të tjera ndërkombëtare për të monitoruar zgjedhjet në të gjithë vendin”, përmbyllet përgjigja e DASH.

Prokurori i Gjykatës së Shkallës së parë Vlorë, Auel Zarka, të premten e 12 12 majit, ka dalë në një deklaratë për shtyp sa i takon arrestimit të kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Himarën, Fredi Beleri.

Zarka njoftoi se me datë 8 të këtij muaji është regjistruar procedimin për veprën “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.

Nga aktet e administruara deri më tani kishte informacione në lidhje me disa shtetas të dyshuar të përfshirë në veprimtarinë e kundërligjshme të shit-blerjes së votës, për zgjedhjet vendore të datës 14 maj 2023, në qytetin e Himarës dhe në fshatrat që janë pjesë e bashkisë Himarë.

Këta persona iu ofronin qytetarëve të ndryshëm, shuma të caktuara parash kundrejt dhënies së votës për një nga kandidatët konkurues.

Pas regjistrimit të procedimit penal, bazuar në faktet, në kuadër të operacionit policor të koduar “Matrix”, është bërë në arrestimi në flagrancë i Belerit dhe një shtetasi tjetër.

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një shumë monetare prej 40 mijë lekësh të rinj.

Arrestimi i tij ka trazuar ujërat e politikës në Shqipëri dhe Greqi, duke qenë se ai i përket minoritetit grek.

Menjëherë pas shoqërimit të tij pala greke kërkoi një takim më ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka.

Kjo për të shprehur shqetësimin në lidhje me arrestimin e këtij kandidati.

Takimi u realizua, por jo me Xhaçkën. Ishte një nga drejtorët ai që priti ambasadoren greke, Konstantina Kamitsi.

Nga ministria u bë me dije se kjo ishte një procedurë normale dhe se çështja do t’u dërgohet organeve kompentete.

Më pas ambasadorja greke u drejtua për në qytetin të Vlorës, aty ku po mbahet Beleri.

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, dhe kryeministri Kyriakos Mitsotakis, e kanë cilësuar ngjarjen “skandaloze” nëse nuk do të ketë prova të forta.

Madje ata kanë lajmëruar përfaqësuesit më të lartë të institucioneve evropiane.

Nga ana tjetër, opozita dhe vetë kreu i Partisë që Beleri përfaqëson, Vangjel Dule, ka bërë me dije se kjo është “një hakmarrje politike”.

E, për këtë ata kanë përdorur si arsye retorikën e kryeministrit të vendit, Edi Rama ndaj kandidatit opozitar.

Por retorika e Ramës erdhi pas deklaratave të Belerit për “henelizimin” e Himarës.

Ai e cilësoi si një “klloun që me mbështetjen e ‘Salike Floririt’ kërkon të marrë zvarrë mbrapa Himarën, shëmbëlltyra më kuptimplotë e shportës opozitare që ka mbledhur bashkë karavidhet më të shëmtuara të historisë politike të Shqipërisë”.

Vetë kryeministri sot ka theksuar se ndalimi i tij nuk ka të bëjë me “betejën” ndaj kandidatit, por se Prokuroria e ka provuar krimin e kryer.

Ndërkaq emrin i Belerit nuk është i padëgjuar për drejtësinë shqiptare.

Në procesverbal vihen re edhe dënimet e tij të mëparshme, ku konkretisht është dënuar me tre vite heqje lirie për nxitje të “urrejtjes”.

Jo vetëm kaq emri i tij ka qenë i lidhur edhe me masakrën e Peshkëpisë.

Për këtë çështje ai është arrestuar, hetuar dhe liruar.

Por drejtësia shqiptare ndërkohë me sa duket ka siguruar prova që e lidhin Belerin me masakrën, duke e marrë në pyetje për të paktën tre herë në një hark të shkurtër kohor.

Nuk është hera e parë që ai kandidon për bashkinë e Himarës. Këtë e ka bërë në vitin 2015, si kryetar i OMONIA-s, kur humbi.

Tentoi sërish si kandidat i pavarur në 2019, por KQZ se miratoi emrin e tij, pasi gjeti shkelje në formularin e dekriminalizimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore