Lajme

Daçiç: Serbia ka organizuar negociata mes qeverisë afgane dhe talebanëve


Negociatat sekrete në mes të qeverisë afgane dhe talebanëve të organizuar nga Serbia në vitin 2019

Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiç gjersa ishte Ministër i Punëve të Jashtme të Serbisë, kishte organizuar tre herë negociata paqeje midis autoriteteve të Afganistanit dhe kryengritësve talebanë.

Ky organizimi ishte mbajtur sekret e tani pasi që Afganistani gjendet në duart e talebanëve, Daçiç ka vendosur të zbuloj këto.

Takimet në fjalë të zhvilluara në Serbi u konfirmuan edhe nga mediumi Serb, N1 përmes disa fotografi ekskluzive nga ato negociata.

Negociatat sekrete në mes të qeverisë afgane dhe talebanëve të organizuar nga Serbia në vitin 2019

Sipas Daçiç, takimet sekrete të cilët ishin organizuar nga Beogradi kishin hapur prospekt për marrëveshjen e Dohas, e cila ishte nënshkruar në mes të qeverisë Afgane dhe udhëheqësve politik të kryengritësve taleban, dhe e ndërmjetësuar nga Sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mike Pompeo.

“Ata negociuan tri herë – megjithatë, kur fuqitë e mëdha e panë që ne e organizuam atë, atëherë ata thanë se ne do ta bëjmë atë në Doha, të Katarit”, ka thënë Daçiç, raporton mediumi serb N1.

Në anën tjetër Drejtori i organizatës East West Bridge, Jovan Kovaçiç, i cili ishte një nga organizatorët e negociatave ka zbuluar se Serbia ishte vetëm nikoqirë i këtyre takimeve.

“Ne nuk morëm pjesë në bisedime. Nuk ishte as dëshira e as qëllimi ynë. Ishte një çështje mes tyre. Ne ishim thjesht nikoqirë, për t’u siguruar atyre paqe e qetësi” ka thënë Kovaçiç.

Beogradi u zgjodh si një territor neutral, thotë Kovaçiç, duke shtuar se negociatat u udhëhoqën nga Karim Kalili, ish nënkryetari i Afganistanit dhe presidenti i atëhershëm i Këshillit të Lartë të Paqes. Përveç tij, ishin të pranishëm edhe shumë përfaqësues të talebanëve, të cilët duheshin hequr nga listat e ndryshme të zeza veçanërisht për atë rast, në mënyrë që të mund të udhëtonin.

“Për herë të parë, komandantët e rreth 20 provincave në Afganistan biseduan me Presidentin Ashraf Ghani përmes platformës virtuale Skype. Ata i kërkuan Kabulit që t’i ndihmojë ata të ndërtojnë infrastrukturë, shkolla, spitale, energji elektrike, e ujësjellës”,  thotë Kovačić.

“Sidoqoftë, takimi i katërt nuk u zhvillua kurrë – situata në terren nuk ishte më relativisht e qetë, dhe negociatat filluan zyrtarisht në Katar, ku ndërmjetësit më të rëndësishëm ishin SHBA-të. Paqja nuk u arrit kurrë, por disa vjet më vonë, zyrtarët serbë mund të mburren se edhe ata u përpoqën të ndihmojnë”, shton Kovaçiç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore