Kosova

Daçiç: BE-ja të ushtrojë ndikim ndaj Kosovës për de-eskalim


Ivica Daçiç

Zëvendëskryeministri i parë, njëherit Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, ka biseduar për situatën e tensionuar në Veri të Kosovës, pas tensioneve të krijuara atje, me Sekretarin Shtetërore për Punë të Jashtme, Bashkëpunim Ekonomik Ndërkombëtar dhe Telekomunikacion të Republikës së San Marinos, Luka Bekari.

Siç njofton MPJ-ja serbe, Daçiç i ka përcjellë Bekar-it pritjet “që partnerët e Serbisë në Bashkimin Evropian nga rajoni të ushtrojnë ndikimin në institucionet e Kosovës me qëllim të de-eskalimit të situatës, dhe të mundësimit të kthimit të jetëve të serbëve nga Kosova drejt rrjedhave normale dhe të sigurta”.

“Beogradi, nga ana e tij, po bën gjithçka për të de-përshkallëzuar në kohën më të shkurtër të mundshme”, pretendoi Daçiç, transmetojnë mediat serbe.

Ndryshe, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të mërkurën, do të takohet me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Takimi në fjalë pritet të fillojë rreth orës 19:00.

Pas takimit Vuçiç-Stoltenberg është planifikuar të mbahet edhe një konferencë për media.

Vuçiç, njoftoi javë më parë se i ka bërë një kërkesë zyrtare Sekretarit të NATO-s, Stoltenberg, për të zhvilluar një takim.

Duke folur për kërkesën për një takim me Stoltenberg, Vuçiç pretendoi se në periudhën e ardhshme do të pasojë një “mashtrim i Perëndimit në lidhje me Kosovën”.

“Do të shihni një truk të paraqitur nga disa nga perëndimi, që është: kthehuni dhe flisni normalisht, ne kemi arrestuar 40 serbë, i kërcënojmë pak se do të vazhdojmë t’i arrestojmë, por de-përshkallëzimi është kur tërhiqen 25 për qind e diçkaje. Askush nuk e di se çfarë do të thotë, por ata po kërkojnë arsye të mjaftueshme për të fajësuar Serbinë, sepse duhet të mbrojnë fëmijët e tyre”, pretendoi ai.

Për këtë takim u deklarua edhe Stoltenberg.

I pyetur se a do të pranojë të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, Sekretari i NATO-s tha se është i gatshëm ta takojë.

“Jam në kontakt të vazhdueshëm me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dhe sigurisht që jam gati për ta takuar”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore