Shqipëria

Çuçi-Sveçla: Aplikim online dhe një leje qëndrimi unike


“S’do të ketë më radhë pritje nëpër sportele për shqiptarët andej e këtej kufirit, që duan të pajisen me leje qëndrimi. Aplikim online dhe një leje qëndrimi unike”.

Kështu është shprehur ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledi Çuçi, të premten e 19 nëntorit pas një vizitë zyrtare në Kosovë.

Çuçi u takua me homologun Xhelal Sveçla, me të cilin diskutuan për çështje të interesit të përbashkët të të dy vendeve.

Në fokus të diskutimeve ishin çështjet që lidhen me lëvizjen e njerëzve përmes pikave kufitare, lejet unike të qëndrimit dhe luftën kundër krimit të organizuar.

Po ashtu ministrat vijuan duke vënë theksin te qarkullimi i lirë për banorët përgjatë brezit kufitar të dy shteteve.

“Me rëndësi është gjithashtu edhe hapja e një pike të re kufitare në Shishtavec, për t’iu ardhur në ndihmë fluksit të shtuar të lëvizjes së njerëzve dhe mallrave mes Shqipërisë e Kosovës”, u shpreh ministri Çuçi.

Të dy ministrat rikonfirmuan vullnetin e përbashkët për të thelluar më tej bashkëpunimin policor mes dy vendeve.

Sipas tyre, kjo ka të bëjë me luftën kundër krimit të organizuar, duke bashkëpunuar në një front të përbashkët.

Duke u ndalur tek inovacioni dhe teknologjia në fushën e sigurisë, Çuçi njohu homologun e tij me ambicien e Shqipërisë për të bërë një kapërcim të madh në këtë drejtim, duke filluar që prej vitit të ardhshëm, ku gati gjysma e buxhetit për investime do të shkojë për teknologjinë dhe pajisjet moderne që u duhen strukturave të policisë.

“Avantazhet që sjellin këto sisteme të reja teknologjike do të shfrytëzohen edhe në pikat e kalimit kufitar të vendeve tona, për të përpunuar më shpejt lëvizjen e njerëzve dhe të mallrave”, e përmbylli ministri i Brendshëm shqiptar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore