Shqipëria

Çuçi për operacionin në Shkodër: Dëshmi e punës profesionale të Policisë së Shtetit


“Operacioni në Shkodër për zbardhjen e grabitjes së filialit të një banke dhe zbulimi ambientit të kultivimit të kanabisit me anë të llambave, që çoi në pranga 9 persona, është dëshmia e radhës e punës profesionale hetimore”.

Ky ka qenë reagimi i ministrit të Brendshëm, për operacionin në Shkodër nga ana e Policisë së Shtetit.

Ai theksoi se operacioni meriton përgëzim dhe respekt.

“Pa asnjë hezitim dhe pa asnjë kompromis përballë krimit, me bindjen e plotë se vetëm në këtë mënyrë kontribuojmë për një shoqëri më të sigurt e ku e ardhmja jonë e nuk vihet në rrezik”.

Në kuadër të operacionit policor, “Syri i Sheganit”,  është zbardhur ngjarja e ndodhur më 09 maj 2022, në Koplik, Malësi të Madhe, ku persona të paidentifikuar, nëpermjet kërcënimit me armë dhe dhunës, morën një sasi të konsiderueshme vlerash monetare, në një bankë.

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër Hamdi Fjora në një deklaratë për shtyp njoftoi se janë kapur autorët e grabitjes.

Mësohet se të ndaluarit janë Bekim Gurraj, 22 vjeç, Armir Shabaj, 25 vjeç dhe Admir Shabaj, 19 vjeç, banues në Aliaj, Malësi e Madhe.

“Ndalimi i këtyre shtetasve u bë sepse në datën 09.05.2022, rreth orës 14:10, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri – tjetrin, nën kërcënimin e armëve të zjarrit, kanë hyrë në degën e BKT-së, në Koplik, Malësi e Madhe dhe kanë marrë vlera të konsiderueshme monetare”, bëri me dije Fjora..

Gjithashtu nga veprimet hetimore të kryera është dokumentuar me prova ligjore se autorët e sipërpërmendur, për kryerjen e aktivitetit kriminal, kanë përdorur 2 armë zjarri dhe një automjet tip “Golf 3”, pa targa, të cilin pas realizimit të grabitjes, e kanë braktisur dhe e kanë djegur tek vendi i quajtur “Rrethrrotullimi i Bajzës”, Koplik.

Pas djegies së mjetit, nën kërcënimin e armëve, kanë ndaluar në rrugë automjetin me drejtues shtetasin T. L., të cilit ia kanë marrë me forcë automjetin dhe më pas janë larguar më shpejtësi në drejtim të fshatit Shegan, Njësia Administrative Kastrat, ku dhe e kanë braktisur këtë mjet.

Po nga hetimet rezultoi se këta shtetas, armët e zjarrit, pas ngjarjes, i kanë hedhur në ujë, në vendin e quajtur “Syri i Sheganit”, degëzim i liqenit të Shkodrës. Aktualisht është duke vijuar kontrolli nga polumbarët e RENEA-s, për të bërë të mundur gjetjen e tyre. Deri tani, polumbarët kanë bërë të mundur gjetjen e njërës prej armëve të zjarrit, konkretisht një armë zjarri kallashnikov.

Gjatë operacionit, në banesën e shtetasit Bekim Gurraj u gjetën dy radio marrëse-dhënëse si të Policisë, bluzë dhe kapele si të Policisë dhe disa veshje të përdorura nga ky person disa ditën para ngjarjes, kur ka studiuar ambientin e jashtëm të filialit, me qëllim realizimin e vjedhjes.

Po në vijim të operacionit për kontrollin në në banesat e autorizuara nga Gjykata, rezultoi se gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Albin Shabaj, i cili ka lidhje shoqërore me autorët e dyshuar të grabitjes së bankës, u gjetën dhe u sekuestruan 9 kilogramë kanabis.

Gjithashtu gjatë operacionit është zbuluar një banesë e përshtatur për kultivim të bimëve narkotike, me anë të llambave.

Autoritetet kanë vënë në pranga 9 shtetas, kanë proceduar penalisht tre shtetas dhe është shpallur në kërkim 1 tjetër.

Nga operacioni janë sekuestruar 31 kilogramë kanabis, pajisje që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave, si dhe prova të tjera materiale që i shërbejnë hetimit për dokumentimin me prova ligjore të grabitjes me armë dhe dhunë të filialit të bankës në Koplik të Malësisë së Madhe.

Gjatë kontrollit nga polumbarët e RENEA-s, deri tani është gjetur njëra nga armët e zjarrit që autorët kishin me vete gjatë kryerjes së grabitjes së vlerave monetare.

Shtetasi Ramiz Nikdukaj u arrestua në flagrancë, për veprat penale “Kultivmimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim dhe “Vjedhja e energjisë elektrike.”

U arrestuan në flagrancë edhe shtetasit A. L, 43 vjeç, banues në Cërrik, Elbasan, dhe B. K., 64 vjeç, banues në Cërrik, Elbasan, pasi u kapën në flagrancë duke punuar në ambientin në të cilin kultivoheshin bimët narkotike, me anë të llambave.

Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi Almir Nikdukaj (djali i Ramiz Nikdukaj), dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasja E. N.(vajza e shtetasit Ramiz Nikdukaj).

Si dhe u proceduan në gjendje të lirë, për shpërdorim detyre, 2 elektricistë të zonës, shtetasit P. I. dhe G. B.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore