Shqipëria

Dezinformimi dhe ndërhyrjet e huaja, Çuçi kërkesë Nikollës: Të krijohet një Komision i Posaçëm


Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi ka bërë me dije këtë të enjte se grupi ka vendosur t’i paraqesë një kërkesë Kryeparlamentares, Lindita Nikolla për krijimin e një Komisioni të Posaçëm Parlamentar.

Fokusi, thekson Çuçi do të jetë “koordinimi dhe mbikëqyrja e të gjitha përpjekjeve institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike në Shqipëri”.

Kjo, sipas tij “mund të përfshijnë fushatat e dezinformimit në mediat tradicionale dhe sociale për të ndikuar në opinionin publik, mbështetjen financiare të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë për përpjekjet për dezinformim, shantazhimin ekonomik të aktorëve publikë dhe manipulimin e shoqërisë civile”.

Kërkesa, ravijëzon ai, bazohet në “angazhimet e Shqipërisë që rrjedhin nga: Memorandumi i Mirëkuptimit i datës 15 shkurt 2024 ndërmjet Shqipërisë dhe SHBA-ve për të adresuar manipulimin e informacionit nga aktorët e shteteve të huaja; Deklarata e Tiranës e 28 shkurtit 2024 e Samitit Ukrainë-Evropë Juglindore; dhe rekomandimet e BE-së për “vazhdimin e përpjekjeve për mbylljen e hapësirës për ndërhyrjet e huaja dhe manipulimin e informacionit”.

Deklarata është shpërndarë nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili e cilëson si  “shumë e rëndësishme për të ecur përpara”.

Çfarë duhet pasur parasysh me dezinformim?

– Lajme të rreme (fake neës): “rrëfime të rreme të ngjarjeve, të shkruara dhe të lexuara në faqet e internetit” sipas Fjalorit anglisht të Oksfordit. Qëllimi i lajmeve të rreme nuk është domosdoshmërisht të mashtrojë lexuesit ose të shkaktojë dëm.

– Keqinformim: Përmbajtja e rreme ose mashtruese e krijuar ose e shpërndarë jo domosdoshmërisht me qëllimin për të shkaktuar dëm, edhe pse rezultati i tij është dëmi.

– Dezinformim: Informacion i rremë ose mashtrues, të cilin përhapësit e përdorin qëllimisht për të shkaktuar dëm.

– Manipulimi i informacionit dhe ndërhyrja nga aktorët e huaj: një ndërhyrje e jashtme malinje, mjet i luftës hibride.

Sipas Shërbimit të Veprimit të Jashtëm të BE-së, ai është “një model sjelljesh kryesisht jo ilegale që kërcënon ose potencialisht ka një ndikim negativ në vlerat, procedurat dhe proceset politike. Ky aktivitet, i cili ka karakter manipulues, zhvillohet në mënyrë të qëllimshme dhe të koordinuar.

Aktorët e këtyre aktiviteteve mund të jenë shtetërorë ose joshtetërorë, duke përfshirë proxy (përfaqësues) të tyre brenda dhe jashtë territorit të përfshirë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore