Lajme

Cramon për zgjedhjet në Serbi: U dërguan votues nga Republika Srpska, duhet hetim i plotë


Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka thënë se në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, lokale dhe krahinore që u mbajtën të dielën e 17 dhjetorit në Serbi kishte parregullsi të shumta.

“Zgjedhjet serbe u mbajtën në kushte të pabarabarta të lojës dhe u zhvilluan me parregullsi të shpeshta gjatë dhe para ditës së zgjedhjeve, si keqpërdorimi i burimeve administrative, blerja e votave dhe cenimi i fshehtësisë së votës”, ka shkruar ajo në platformën X.

Po ashtu ajo ka theksuar se shumë votues ishin dërguar në Serbi nga Republika Srpska nga Bosnja dhe Hercegovina.

“Ne dëshmuam raste të sjelljes së organizuar të votuesve nga Republika Srpska dhe frikësimit të votuesve. Ne prisnim absolutisht standarde më të larta demokratike nga një vend kandidat në BE, i cili negocion anëtarësimin në BE. Nevojitet një mbikëqyrje ndërkombëtare dhe një hetim i plotë”, shtoi ajo.

Edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë përmes një reagimi në platformën X të hënën ka njoftuar se në zgjedhjet së dielës në Serbi kishte frikësim të votuesve dhe blerje të votave.

“Serbia ka votuar por Zyra për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut në kuadër të OSBE-së ka raportuar për keqpërdorim të burimeve publike, frikësim të votuesve dhe raste të blerjes së votave. Kjo është e papranueshme për një vend i cili ka statusin e kandidatit për në Bashkimin Evropian”, thuhet në reagim.

Ndërsa Koalicioni opozitar pro-evropian “Serbia kundër dhunës” pretendoi se Partia Progresive e Serbisë (SNS) fitoi vetëm rreth 21 mijë vota më shumë në zgjedhjet lokale në Beograd, derisa ka denoncuar votuesit ilegalë të ardhur nga pjesë të ndryshme të vendit për të votuar në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, lokale e krahinore të Serbisë.

Gjatë së hënës, një numër i madh qytetarësh kanë protestuar në qendër të Beogradit, duke kërkuar anulimin e zgjedhjeve lokale të mbajtura në kryeqytetin serb më 17 dhjetor.

Edhe vëzhguesit nga Qendra e Pavarur për Kërkime, Transparencë dhe Përgjegjësi (CRTA) shprehën “shqetësimin e thellë ” për rastet e transferimit të organizuar të votuesve të paligjshëm të dielën nga vendet e tjera në qendrat e votimit në kryeqytetin serb. CRTA raportoi gjithashtu raste kur votuesve u jepeshin para për të votuar për partinë në pushtet.

Sipas rezultateve preliminare të Qendrës për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci (CeSID), partia në pushtet – Partia Progresive Serbe (SNS) – ka fituar mbi 46 për qind të votave (rreth 129 mandate), bazuar në mbi 65 për qind të mostrave të përpunuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore