Lajme

Cramon pas takimit Vuçiç-Kharchenko: Më pak ndikim rus mund ta qetësonte situatën në Beograd


Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, ka reaguar pasi një ditë pas protestave të dhunshme në Beograd, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç është takuar me ambasadorin e Rusisë, Alexander Botsan-Kharchenko.

“Më pak ndikim rus mund ta qetësonte situatën në Beograd dhe ta sillte vendin ku shumica e njerëzve do të donin ta shihnin atë: në Bashkimin Evropian”, ka shkruar ajo në platformën X.

Një protestë e opozitës së bashkuar rreth koalicionit “Serbia kundër dhunës” është zhvilluar të dielën para ndërtesës së Komisionit Republikan të Zgjedhjeve (RIK) në kryeqytetin serb.

Qindra protestues kanë tentuar të futen brenda Asamblesë Komunale të Beogradit, duke thyer xhamat e dyerve dhe dritareve në shenjë revolte, duke nxitur reagimin e autoriteteve.

Policia e Serbisë, sipas raportimit të mediave në terren, ka hedhur gaz lotsjellës në drejtim të protestuesve, ndërsa janë arrestuar mbi 35 protestues e janë lënduar disa të tjerë, kërkesa e të cilëve është anulimi i zgjedhjeve dhe shpallja e një cikli të ri zgjedhor për shkak të parregullsive të raportuara gjatë procesit të votimit, veçanërisht në kryeqytetin serb.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një konferencë për shtyp pas protestës masive të opozitës së bashkuar rreth koalicionit “Serbia kundër dhunës” të dielën në kryeqytetin serb, kërkoi nga qytetarët serbë të mos shqetësohen, sepse, sipas tij, asnjë revolucion nuk është duke ndodhur në Serbi, derisa ka paralajmëruar arrestimin e disa prej protestuesve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore