Lajme

COVID-19 del jashtë kontrollit në Australi, “dështim katastrofik” i qeverisë


COVID-19 ka dalë jashtë kontrollit në Australinë Qendrore, duke vërtetuar “dështimin katastrofik” të qeverisë.

“Shumë nga çështjet me të cilat po përballemi, ishin të parashikuara, për të cilat u bënë plane për t’i menaxhuar”, i kanë shkruar disa grupe aborigjene kryeministrit Michael Gunner.

Sipas tyre, kërkesat u janë mohuar ose nuk janë ndërmarrë veprime në kohën e duhur, për të bërë një ndryshim të vërtetë.

“Ka pasur një dështim të konsiderueshëm nga agjencitë qeveritare në Australinë Qendrore për t’i vënë në praktikë planet e dakorduara me qeverinë tuaj përpara shpërthimit. Kjo ka çuar drejtpërdrejt në daljen jashtë kontrollit të COVID-19, në komunitetet aborigjene të Australisë Qendrore dhe më gjerë”, thuhej në letër.

Grupet përshkruajnë një sërë dështimesh të shëndetit publik, që ata thonë se kanë ndodhur, duke përfshirë gjurmimin e ngadaltë të kontaktit, futjen e vonuar të një mandati të maskës dhe dështimin për të hequr rastet pozitive nga familjet e mbushura me njerëz.

“Kur rastet pozitive u gjetën në familje të mbushura me njerëz, ata u lanë në shtëpi për më shumë se 48 orë, kohë në të cilën virusi ishte përhapur brenda dhe midis familjeve. Më pas në kampet dhe shtëpitë e tjera të qytetit”, thanë ata.

“Duket se shpërthimi nuk mund të frenohet, duke përdorur masat si: karantina, maskat, izolimi”.

Në letrën drejtuar Gunner-it, ata bëjnë thirrje për një “bllokim të menjëhershëm” në Australinë Qendrore, “për të ndaluar lëvizjen e njerëzve dhe për të ulur kurbën e infeksioneve të reja dhe shtrimeve në spital”, të cilat ata thanë se do t’u jepnin atyre kohë për të ngritur një ekip të reagimit të shpejtë për Alice Springs.

“Ne ju nxisim të injoroni ata që thonë se është shumë e vështirë, shumë vonë, ose shumë e shtrenjtë, apo që varianti Omicron i COVID-19 është një sëmundje e lehtë dhe se ne nuk duhet të shqetësohemi për të”, theksojnë ata.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore