Lajme

COP26: Mbretëria e Bashkuar premton 290 milionë paund për vendet më të varfra


Mbretëria e Bashkuar (MB) ka premtuar 290 milionë paund për t’u ardhur në ndihmë vendeve më të varfra të përballen me ndikimin e ndryshimeve klimatike.

Kjo vjen në vazhdën e samitit të ndryshimeve klimatike COP26, i cili ka hyrë tashmë në javën e dytë të punimeve.

Ministrat e qeverisë nga e gjithë bota ndodhen në Glasgow për të thelluar bisedimet rreth ndryshimeve klimatike.

Ata do të diskutojnë mbi metodat e mbështetjes së vendeve më të varfra dhe mbi dëmshpërblimet për pasojat e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore.

Vendet më të varfra kanë kërkuar ndihmë financiare prej 100 miliardë dollarësh, duke argumentuar se tashmë po përballen me dëme të mëdha dhe se parashikojnë të preken më keq nga ndryshimet klimatike.

Vendet në zhvillim kanë kontribuar historikisht në një pjesë të vogël, të emetimeve, që nxisin ndryshimin e klimës.

Shumica e fondeve nga Britania e Madhe do të shkojnë për të ndihmuar vendet aziatike dhe të Paqësorit, sipas njoftimit zyrtar të qeverisë britanike, që të planifikojnë dhe investojnë mbi veprimet klimatike.

Po ashtu edhe të përmirësojnë ruajtjen e promovimin e uljes së karbonit.

Zyra për Marrëdhëniet e Jashtme i përshkroi 290 milion paund si “financim të ri” nga buxheti i ndihmës së huaj.

Qeveria britanike muajin e kaluar tha se shkurtimet e shpenzimeve në 0.5% të të ardhurave kombëtare, për ndihmën ndaj vendeve të huaj, do të qëndrojnë të palëvizur në periudhën 2024-2025.

Këshilltarët e lartë të qeverisë, për ndryshimin e klimës, paralajmëruan më parë se shkurtimet treguan se Mbretëria e Bashkuar nuk ishte “as e qartë dhe as serioze”, për të ndihmuar vendet e cenueshme ndaj ndryshimeve klimatike përpara COP26.

Samiti i Kombeve të Bashkuara (OKB) do të vazhdojë deri të dielën, me fokusin te bisedimet mbi uljen e ngrohjes globale në objektivin prej 1.5 gradë celsius.

Vendet në zhvillim po kërkojnë 100 miliardë dollarë çdo vit, për të kontribuar në uljen e emetimeve dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike, si dhe arritjen e objektivave për emetimet, para vitit 2050.

Një premtim për 100 miliardë dollarë nga vendet më të pasura është bërë qysh në vitin 2009, por planet për ta vendosur atë deri në vitin 2020 nuk janë realizuar.

Objektivat aktuale synojnë ta arrijnë atë deri në vitin 2023, ofertë e cila është përshkruar si “jashtëzakonisht zhgënjyese”.

Ministrja e tregtisë ndërkombëtare, Anne-Marie Trevelyan, tha se bota “duhet të veprojë tani” për të parandaluar që më shumë njerëz të shtyhen në varfëri nga ndryshimet klimatike.

Por ekziston gjithashtu pyetja nëse vendet e pasura duhet të paguajnë dëmshpërblime për vendet e cenueshme për dëmet e shkaktuara tashmë nga ndryshimet klimatike.

Kombet e pasura nuk e kanë pranuar kurrë përgjegjësinë ligjore për ndikimin e emetimeve të tyre – sepse fatura mund të shkojë në triliona.

Marrë nga BBC, përshtatur për Albanian Post.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore