Lajme

Çollaku për AP: Kurti po e përdor politikën e jashtme për t’i kënaqur fanatikët e partisë


Ish-ministri për Integrime Evropiane nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Çollaku, ka thënë për Albanian Post se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po e përdorur politikën e jashtme njësoj sikur atë të brendshmen, “vetëm për t’i kënaqur fanatikët e partisë së tij”, por jo edhe për të realizuar objektivat e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Çollaku thotë se ka të vështirë për ta komentuar propozimin franko-gjerman, “për aq kohë sa Kurti e mban të fshehur nga opinioni publik këtë dokument”.

“Ka mungesë të theksuar të transparencës dhe analizës përmbajtjesore për këtë dokument”, thekson ai.

Megjithatë, nga aq sa ka lexuar dhe dëgjuar nga diplomatët ndërkombëtarë, Çollaku deklaron se problemi është te njohja e Kosovës nga Serbia – që sipas propozimit vjen vetëm në mënyrën implicite.

“Bazuar në atë çfarë kanë deklaruar diplomatët e huaj të përfshirë në këtë proces, supozohet se dokumenti në fjalë, nuk përmban elementin kyç, atë të njohjes reciproke. Në rast se kjo është e vërtetë, atëherë ky dokument e vë Kosovën në një situatë tepër të vështirë”, deklaron Çollaku për AP.

“Një marrëveshje përfundimtare pa njohje reciproke, prodhon një status quo  të re në relacionin Kosovë-Serbi, duke mbartur në vetvete jo vetëm pikëpyetje të shumta, mirëpo edhe dilema për procesin e dialogut”.

Sipas Çollakut, pozicioni i PDK-së “është konsistent dhe i qartë”.

“Ne mbështesim dialogun apo negociatat për marrëveshjen përfundimtare, e cila në thelb duhet të përmbaj njohjen reciproke ndërmjet të dy shteteve”.

Nëse qeveria hesht, çfarë mendon opozita për propozimin franko-gjerman? – Albanian Post pyet partitë opozitare

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore