Lajme

Nëse qeveria hesht, çfarë mendon opozita për propozimin franko-gjerman? – Albanian Post pyet partitë opozitare


Foto nga Albanian Post

Qeveria e Kosovës e ka pranuar publikisht se ekziston një plan/propozim franko-gjerman për arritjen e një marrëveshje me Serbinë, por zyrtarisht nuk ka dhënë asnjë sqarim as për planin dhe as për qëndrimin e shtetit në raport me këtë plan.

Prandaj opozita në Kosovë ankohet se është e pamundur të jepet një vlerësim për qeverinë në raport me dialogun, sepse nuk ka një qëndrim të cilin do të mund ta analizonin.

Për më tepër, ish-ministri për Integrime Evropiane nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Çollaku, pohon se kjo s’ka të bëjë veç me procesin e dialogut, por në përgjithësi me gjithë qasjen në arenën ndërkombëtare.

“Për të dhënë një opinion për politikën e jashtme të qeverisë Kurti, duhet ta definojmë fillimisht se a ka një të tillë apo jo? Fatkeqësisht, duket që Kurti po e përdorur politikën e jashtme njësoj sikur atë të brendshmen, vetëm për të kënaqur fanatikët e partisë së tij, por jo edhe për të realizuar objektivat e Kosovës në arenën ndërkombëtare”, thotë ai në një përgjigje për Albanian Post.

Dialogu Kosovë-Serbi, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Por, nëse jo qeveria, atëherë cili është qëndrimi i opozitës në raport me zhvillimet e reja dhe planin franko-gjerman?

Çollaku nga PDK thotë se “për aq kohë sa Kurti e mban të fshehur nga opinioni publik këtë dokument, është e vështirë për ta komentuar”.

“Ka mungesë të theksuar të transparencës dhe analizës përmbajtjesore për këtë dokument”.

Megjithatë, nga aq sa ka lexuar dhe dëgjuar nga diplomatët ndërkombëtarë, Çollaku deklaron se problemi është te njohja e Kosovës nga Serbia – që sipas propozimit vjen vetëm në mënyrën implicite.

“Bazuar në atë çfarë kanë deklaruar diplomatët e huaj të përfshirë në këtë proces, supozohet se dokumenti në fjalë, nuk përmban elementin kyç, atë të njohjes reciproke. Në rast se kjo është e vërtetë, atëherë ky dokument e vë Kosovën në një situatë tepër të vështirë”, deklaron Çollaku për AP.

“Një marrëveshje përfundimtare pa njohje reciproke, prodhon një status quo  të re në relacionin Kosovë-Serbi, duke mbartur në vetvete jo vetëm pikëpyetje të shumta, mirëpo edhe dilema për procesin e dialogut”.

Sipas Çollakut, pozicioni i PDK-së “është konsistent dhe i qartë”.

Bekim Çollaku

“Ne mbështesim dialogun apo negociatat për marrëveshjen përfundimtare, e cila në thelb duhet të përmbaj njohjen reciproke ndërmjet të dy shteteve”.

Edhe nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, pohon se “ndryshe nga qeveria, pozicionin e kanë krejtësisht të kthjellët në LDK.

“Në LDK e kemi të qartë”, pohon ai, “nuk ka rrugë dhe opsion tjetër për dialogun me Serbinë,  përveç të shtirret agjenda sa më shpejtë, dhe të gjitha çështjet që mund të negociohen mbi parimet e vendosura, duhet të bëhen tani”.

“Duhet të përmbyllet ky proces me një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe kryeministri duhet të sigurohet që të mos dal jashtë mandatit kushtetues të Republikës së Kosovës”,  tha Haziri për Albanian Post.

Ai deklaron se e ka lexuar publikimin e planit franko-gjerman në AP dhe ka mendimin se “ky Plani franko-gjerman është njëri nga opsionet që këtij procesi po i jep momentum të ri dhe ky momentum duhet të shfrytëzohet nga Qeveria”.

Por, siç dihet, plani nuk e parasheh njohjen e Kosovës nga Serbia në mënyrë eksplicite, por vetëm në një afat 10 vjeçar. Këtu Haziri thotë se duhet të ndërhyhet dhe “ta shterrin agjendën dhe ta fitojnë njohjen nga Serbia që është qëllimi kryesor”.

“Pra njohjen nga Serbia e jo nga ndonjëri prej pesë shteteve anëtare të BE-së”, shton ai.

Lufti Haziri

Duke qenë moti në politikë dhe pjesë e ekipeve negociatore në të kaluarën, Haziri e di se “nuk është e lehtë”.

“Por, ky hezitim që kemi parë që nga fillimi tek Qeveria po përcjellët dhe është bërë kulturë e kësaj qeverie, e në anën tjetër kemi propagandë politike për konsum të brendshëm”.

Ai, duke elaboruar sjelljen qeveritare, pohon se “po punohet në dy binarë”.

“Binari i parë me partnerët ndërkombëtarë që po përcjellët me hezitim, pavendosmëri e pasiguri në shterjen e agjendës deri në një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ndërsa sa i përket çështjeve të brendshme po e përcjell marketingu, propaganda dhe ‘shitja’ e proceseve si të suksesshme tek qytetarët e Kosovës, si vendime të vështira por të guximshme të kryeministrit Kurti që nuk po arrin t’i përfundojë kurrë”.

Pas ardhjes së propozimit të ri nga  Jens Plotner i Gjermanisë dhe Emmanuel Bonne i Francës në Prishtinë dhe vizitës së përfaqësuesit special amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, kryeministri Kurti ftoi për një bisedë opozitën.

Nga të gjithë, veç njëri i shkoi – Ramush Haradinaj, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Këtë bashkëpunim Haradinaj, tregojnë nga AAK-ja, s’e bëjnë për Kurtin, por për Kosovën.

Sipas sekretarit të përgjithshëm të kësaj partie, Muharrem Nitaj, duhet të “insistohet dhe të punohet për marrëveshjen finale me Serbinë”.

“Kjo të ndodhë sahat e më parë”, shton ai kur pyetet nga Albanian Post.

Muharrem Nitaj

Për AAK-në, “është e papranueshme që ky proces të eklipsohet nga çështje e probleme më të vogla apo edhe teknike”, tregon Nitaj.

“Nuk bën që për shkak të drurit te mos shihet mali.  Kosova duhet të këtë më shumë besim te partneret. Mozaiku është me i gjerë dhe me i komplikuar”.

Sa për vetë procesin, Nitaj mendon se duhet korndinim dhe besim shumë më i madh i Qeverisë me faktorin ndërkombëtar.

“Kosova nuk e ka komoditetin të veprojë pa u harmonizuar me aleatët perëndimorë. Kjo për shumë arsye. Në fakt krejt çka është arritur deri më sot është bërë edhe me ndihmën e demokracive më të fuqishme perëndimore në krye me SHBA”.

Prandaj, Nitaj pohon se “hezitimi, për të mos thënë mospërfillja e këshillave apo kërkesave të tyre, nuk është veprim, as i mençur e as i dobishëm”.

“Kosova duhet ta shfrytëzojë angazhimin evro-amerikan, për t’i zgjidhur njëherë e përgjithmonë mosmarrëveshjet shekullore me Serbinë, e jo ta luaj rolin e të fortit”.

Kurse për qëndrimin e AAK-së për propozimin franko-gjerman, Nitaj pohon se ende është i mbështjellur me njëfarë misteri, megjithatë, “korniza e tij thuhet të jetë e mirë”.

“Është e domosdoshme që spektri politik në Kosovë të jetë i përbashkuar me aleatet perëndimor, pa te cilët vështirë të përmbyllet ky proces”.

Sipas propozimit franko-gjerman, i njohur edhe si korniza e re, që AP e publikoi me 18 shtator, në vitin 2023 duhet të nënshkruhet marrëveshja e dytë për normalizim të marrëdhënieve, pas asaj të vitit 2013, me të cilën Serbia faktikisht e pranon realitetin e Kosovës shtet të pavarur, por nuk e njeh formalisht.

Në një fazë të mëvonshme, hipotetikisht pas 10 vitesh, atëherë kur BE-ja është e gatshme të zgjerohet dhe ta përfshijë Ballkanin Perëndimor, arrihet marrëveshja për njohje të ndërsjellë, si parakusht i të dy shteteve për anëtarësim në BE.

Për profesorin e diplomacisë dhe ish zëvendës-ministrin e Kosovës, Valon Murtezaj, sado që plani franko-gjerman “duket ende se është në fazë konceptuale, duhet konsideruar me seriozitet”.

“Kjo për arsye të të qenurit propozim nga dy vendet kryesore të BE-së dhe po ashtu tanimë ka pasur deklarata përkrahëse nga Shtetet e Bashkuara lidhur me këtë propozim-plan”, thotë Murtezaj për Albanian Post.

Valon Murtezaj

Por, edhe ai ka problem me faktin që propozimi se përfshinë njohjen e menjëhershme.

Për të ndodhur kjo, ai thotë se është punë e qeverisë.

“Qeveria të shkaktojë impakt në këtë dokument, përmes propozimit të ideve kreative, në mënyrë që së pari të përfshihet njohja nga Serbia, si dhe kur kemi të bëjmë me garancitë që lidhen me njohjet nga pesë vendet anëtare të BE-së si dhe anëtarësimet në sistemin ndërkombëtar multilateral”.

Por, gjithë këtë punë, për Murtezajn, qeveria aktuale s’e bën dot, sepse “Kryeministri Kurti dhe në përgjithësi qeveria aktuale duket se nuk e ka sensitivitetin e duhur për rëndësinë politikës së jashtme”.

Këtë Murtezaj thotë ta ketë parë edhe në mos koordinimin sa duhet me ndërkomëbtarët, as tani kur procesi është intensifikuar.

Pra cili është qëndrimi?

Njëjtë si qeveria, por kuptohet me shumë më pak përgjegjësi, meqë s’e kanë ekzekutivin dhe as fuqinë e vendimeve, edhe opozita dëshiron njohjen e menjëhershme, por nuk e ka një alterantivë se si bëhet ajo pjesë e pakos.

Gjithsesi, derisa opozita ofron një qëndrim, nëse jo alternativë, për qeverinë duhet pritur kur do dal me një shpjegim.

I pyetur për jo transparencën e madhe në proces, Kurti pati thënë se bisedimet e duan njëfarë konfidencialiteti, derisa pati premtuar se në momentin që “ngurtësohet propozimi”, ai do ta shpalosë atë para publikut.

Ekskluzive në Albanian Post: Këto janë pikat, kjo është rruga, këtu nënshkruhet marrëveshja

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore