Aplikacione

Clubhouse nxjerr funksionin e ri të zërit


Aplikacioni i bisedave audio, Clubhouse, ka njoftuar se do të nisë një veçori audio hapësinore për t’i bërë zërat të tingëllojnë sikur vijnë nga drejtime të ndryshme, duke ndihmuar bisedat dhe shfaqjet virtuale t’i ngjasojnë jetës reale.

Agjencia e lajmeve, “Reuters”, tregon se aplikacioni e nisi trendin e audios sociale vitin e kaluar dhe u bë i njohur për dhomat e bisedave të mijëra përdoruesve që përfshinin drejtues kryesorë dhe të famshëm.

Sidoqoftë, ai përballet me një konkurrencë në rritje nga kompanitë më të mëdha të teknologjisë si Facebook, Twitter dhe Spotify, të cilët të gjithë kanë prezantuar veçoritë e tyre të bisedave sociale audio.

Për sa i përket tiparit të ri t të zërit, ai do të ndihmojë platformën Clubhouse të mbështetet në shfaqje dhe dhoma argëtimi që janë përhapur në aplikacion.

Në varësi të numrit të folësve në një dhomë dhe një sërë faktorësh të tjerë, teknologjia e aplikacionit do t’u japë përdoruesve një pozicionim hapësinor, në mënyrë që dëgjuesi të dëgjojë zërat që i rrethojnë në kufjet e tyre, ka thënë Justin Uberti, kreu i teknologjisë së transmetimit në Clubhouse.

Teknologjia e Clubhouse do të zbulojë në dhomat e komedisë folësin kryesor dhe do ta vendosë zërin e atij personi teksa e qeshura e njerëzve të tjerë mund të tingëllojë sikur vjen nga ana e majtë dhe e djathtë e një dëgjuesi.

“Unë mund të dëgjoja njerëzit duke qeshur dhe dhoma shpërtheu rreth meje”, ka treguar Uberti. “Ju mund të imagjinoni muzikën…ka shumë potencial”.

Gjithashtu teknologjia hapësinore e bën më të lehtë zbulimin kur përdorues të ndryshëm flasin, ndërsa njerëzit më parë mund t’i kushtojnë vëmendje ritmit dhe timbrit të zërit të folësve.

Clubhouse-i, i cili nisi si një aplikacion vetëm për ftesa dhe kohët e fundit u hap për të gjithë përdoruesit, ka deklaruar se më shumë se 700 mijë dhoma tani krijohen çdo ditë, nga 300 mijë që kanë qenë në maj.

Audioja hapësinore do të shfaqet së pari tek përdoruesit e iOS-it dhe më pas te përdoruesit e Android-it. Dhe kjo do të mundësohet së shpejti, sipas platformës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore