Lajme

Çitaku i reagon Gërvallës: Mos e shtrembëroni të vërtetën për Kosovën


Ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, i ka reaguar ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, pasi kjo e fundit në Forumin e Dubrovnikut tha se “Kosova s’duhet ta fajësojë Evropën për gabimet e veta”.

Çitaku ka kërkuar nga Gërvalla që të mos e shtrembëroje të vërtetën, duke ia rikujtuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

“E nderuara Ministre, para pak javësh në Prishtinë, Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë konfirmoi atë të cilën Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian po e përsërisin tani e disa vite: Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave”.

“Keni parasysh, qytetarët e Venezuelës, Kolumbisë e shumë të tjerë deri në Taiwan mund të udhëtojnë pa viza në BE”, ka shkruar Çitaku në reagimin e saj.

Çitaku ka thënë se Kosova ende ka shumë punë për të bërë në luftë kundër korrupsionit dhe se rrjedhimisht ka akoma punë për të bërë në luftën kundër korrupsionit dhe për sundimin e ligjit.

Mirëpo, sipas saj, as brenda BE-së nuk ka uniformitet në zbatimin e vlerave dhe standardeve.

“Jo të gjitha vendet e BE-së janë në nivelin e Finlandës apo Suedisë. Por, mbi të gjitha, ju jeni Ministre e Jashtme e Kosovës. Detyra e juaj është ta plasoni Kosovën në dritën e saj më të mirë. Jo të mos e thoni të vërtetën, por as mos ta shtrembëroni atë”, ka shkruar ajo në llogarinë e saj në rrjetin social Facebook.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore