Lajme

Çitaku: E vetmja fushë ku shkëlqen Qeveria është propaganda


Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku.

Sipas nënkryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, në projektbuxhetin për vitin 2024 shumica e projekteve kapitale janë të qeverive të kaluara.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ajo ka thënë se projektet e reja janë ndarë për komuna ku qeverisë Lëvizjen Vetëvendosja.

“Shumica e investimeve kapitale për buxhetin e planifikuar të kësaj qeverie janë për projekte të moçme, të qeverive paraprake. Ndërsa te projektet e reja, gjysma e parave janë ndarë për ato pak komuna ku sundon Vetëvendosja”, ka shkruar Çitaku.

Ndërsa ka akuzuar Qeverinë për propagandë.

“Sipas raporteve kredibile, janë mu këto pak komuna ku transparenca dhe ekzekutimi i projekteve kapitale është më e ulëta”.

“Pra paratë e taksapaguesve po ndahen në baza partizane. Këto janë fakte. Numra. Raporte. Çdo gjë tjetër është propagandë, e vetmja fushë ku qeveria po shkëlqen”.

Të enjten pritet të diskutohet dhe votohet në Kuvendin e Kosovës për projektbuxhetin e vitit 2024, i cili është miratuar nga Qeveria e Kosovës.

Sipas njoftimit për media të Kuvendit, për diskutim dhe votim do të jetë edhe Ligji për Ndarjet Buxhetore për vitin 2024, sipas rekomandimit të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, ku është rekomanduar votimi i Ligjit për buxhetin.

Në fund të muajit të kaluar, Qeveria e Kosovës e kishte miratuar projektbuxhetin e vitit 2024 në vlerë prej 3.3 miliardë euro, një rritje e vogël krahasuar me buxhetin e vitit të kaluar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte njoftuar se për sektorin publik, koeficienti i pagave për vitin 2024 do të jetë 110 euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore