Lajme

Cilët janë katalizatorët që do ta ndezin fushatën e partive politike ndërsa nis sezoni zgjedhor në Kosovë?


Ilustrim

Duke qenë se Kosova shpejt do ta hapë sezonin zgjedhor – një kohë kur qytetarët fillojnë t’i kushtojnë shumë vëmendje fushatës elektorale, ndërsa partitë politike i kthehen rutinës përgatitore për betejën e radhës – njohës të proceseve konsiderojnë se katalizatorët që do ta ndezin diskursin politik janë dialogu, ekonomia, arsimi, shëndetësia dhe sundimi i ligjit.

Ata presin që partia në pushtet ta orientojë fushatën elektorale kryesisht nga çështjet që kanë të bëjnë me procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe pjesën veriore, posaçërisht në një kohë kur tensionet midis dy vendeve janë ngritur në nivele shpërthyese, kurse partitë opozitare në dështimin e dukshëm në ekonomi, shëndetësi e arsim.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) në Prishtinë, vlerëson për Albanian Post se ashtu sikurse në të kaluarën, subjektet politike do të tentojnë që “çështjet e ndjeshme” t’i mbajnë lartë në agjendë, ndërsa “përcaktuesi i paevitueshëm” apo “pika e thyerjes” mes partive mbetet dialogu për normalizimin e marrëdhënive Prishtinë-Beograd.

“Zakonisht, subjektet politike tentojnë që çështjet apo temat e ndjeshme t’i mbajnë lartë në diskursin politik dhe normalisht, çështja e dialogut përbën temën kryesore që është pika thyese mes partive, por që përgjatë fushatës elektorale tenton të evitohet”, thekson Cakolli, duke kujtuar premtimin e dikurshëm të partisë në pushtet se dialogu është prioriteti i shtatë.

E drejtori i Institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari” në Prishtinë, Visar Ymeri, thotë në një prononcim për Albanian Post se fushata e partive politike për zgjedhjet e reja, do të varet në radhë të parë se si do të shkohet drejt zgjedhjeve, duke qenë se në mesin e partive opozitare nuk ekziston konsensus për mënyrën se si do të lëvizet drejt procesit të ri elektoral.

“Jemi në një situatë ku vetëm diskutimi për shkuarjen në zgjedhje është bërë çështje fushate”, thekson sociologu kosovar, duke pasur parasysh se përkundër vullnetit të opozitës për zgjedhje të parakohshme për shkak të dështimeve të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), qoftë në planin e brendshëm, qoftë në politikën e jashtme, nuk është e qartë nëse ata e kanë përnjëmend.

Ymeri spikat edhe rëndesën e “ndarjes brutale” që ka mbushur pothuajse çdo aspekt të “fabrikës sociale” në Kosovë, veçanërisht kur bëhet fjalë për pjesën veriore të territorit të banuar me serbë. Ai shton se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do ta përdorë sërish “sentimentin e frikës” për ta polarizuar shoqërinë, duke i thelluar ndasitë politike nëpërmjet nocionit “Unë” dhe “Ata”.

“Frika do të ndërtohet në raport me Serbinë dhe situatën e brishtë të sigurisë gjithandej. Kjo do të përdoret për ta portretizuar sërish Kurtin si shpëtimtarin e vetëm; në këtë rast nga sulmet e Serbisë”, vëren analisti kosovar, ndërsa shpreh drojën se partitë opozitare do të ballafaqohen me disa vështirësi në këtë drejtim, posaçërisht për shkak të “propagandës” së pushtetit.

“E para, opozita s’ka qenë qartësisht kundërshtare e aventurave politike të Kurtit në raport me veriun e vendit. E dyta, ky diskutim përmes sentimentit të frikës synon që t’i paraqesë ata të dobët karshi rreziqeve me të cilat përballet Kosova”, nënvizon ai, ndërsa ngrit një tezë interesante që lidhet me zbatimin e obligimeve në kuadër të dialogut.

“Një e panjohur ekziston në këtë mes; cilat lëvizje drejt zbatimit të marrëveshjes me Serbinë do të obligohet Kurti t’i bëjë para zgjedhjeve. Për shembull në raport me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Nëse Kurti detyrohet të bëjë hapa konkretë drejt zbatimit, atëherë do ta ketë shumë më të vështirë që ta përdorë një diskurs të tillë në fushatë”, deklaron ai.

Ymeri pohon gjithashtu se nëse mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok – ku gjasat që pushtetin ta rimarrë Lista Sërpska – partia kryesore e serbëve – janë të larta, atëherë simbolika e ndërtuar nga kreu i ekzekutivit kosovar për “rikthimin e sovranitetit” do ta humbë efektin elektoral.

“Sigurisht që çështja që do të mburret qeveria është situata në veri – ndoshta pika më e fortë e partisë në pushtet – kurse kjo do ta ketë kundërbalancë prishjen e raporteve të Kosovës me aleatët ndërkombëtarë”, potencon në anën tjetër Cakolli, ndërsa edhe për Ymerin degradimi i raporteve me aleatët pritet të jetë pjesë e diskursit opozitar.

Megjithatë, përveç dialogut që pritet të jetë një ndër çështjet kryesore të fushatës – megjithëse jo kryesorja – çështjet e brendshme pritet t’i eklipsojnë pjesërisht çështjet e politikës së jashtme, veçanërisht në një kohë kur qindra mijëra qytetarë, kryesisht të rinj të papunë e profesionistë të dëshpëruar, janë duke lëvizur në drejtim të vende perëndimore, vlerëson Cakolli.

“Së dyti, një çështje tjetër është punësimi. Kosova tashmë ballafaqohet me një valë të ikjes së njerëzve pas liberalizimit të vizave, pasuar nga çështjet tjera që ndërlidhen me arsimin dhe shëndetësinë – dy prej temave sociale që gëzojnë popullaritet të madh në vend”, nënvizon Cakolli, ndërsa përmend veçanërisht sundimin e ligjit që pritet të jetë në qendër të fushatës.

Për shembull, në raportin e fundit të progresit për Kosovën për vitin 2023 evidentohet ndër të tjera “përparim i kufizuar” në performancën e institucioneve përgjegjëse për sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, funksionimin e gjyqësorit, luftën kundër krimit të organizuar dhe lirinë e shprehjes. Dhe pikërisht ky aspekt pritet të dominojnë fushatën elektorale.

“Në rast të zgjedhjeve të reja në vend, çështje tjetër që partitë politike do të tentojnë ta përdorin është edhe sundimi i ligjit, duke përfshirë iniciativat tashmë të nisura nga partia në pushtet dhe si kundërbalancë do të përdoren argumentet e partive opozitare për anti-kushtetutshmëri, ku ekziston një tendencë për t’i paraqitur si përpjekje për kapjen e sistemit të drejtësisë”.

E burimi kryesor i mosbesimit të përgjitshëm mbetet korrupsioni që sundon ende në Kosovë. Cakolli përmend posaçërisht dy raste të aferave korruptive të njerëzve rreth LVV-së – Martin Berishaj dhe Nagip Krasniqi – që opozita do t’i shfrytëzojë përgjatë fushatës për ta diskredituar pushtetin nën udhëheqjen e partisë që premtoi luftë kundër plaçkitjes.

“Dhe këtu partitë e opozitës kanë potencial”, vazhdon tutje Ymeri, ndërsa përfundon argumentin duke thënë se një nga detyrat prioritare të partive opozitare duhet të jetë ofrimi i një perspektive për Kosovën pa Kurtin dhe LVV-në në qeverisje – një terren i gjerë për t’u mbuluar nga partitë opozitare që dolën të dërrmuara nga zgjedhjet e fundit parlamentare.

Ndryshe, partitë veçse nisën të mobilizohen për shkak të mundësisë së zgjedhjeve të reja pak muaj para përfundimit të mandatit të Qeverisë së Kosovës nën drejtimin e LVV-së, ndërkohë që për shkak të zhvillimeve aktuale, mundësinë e zgjedhjeve përgjatë këtij viti s’e kanë përjashtuar as akterë të partisë në pushtet. Sidoqoftë, rruga deri në kryeministri është e gjatë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore