Përballje

Challandes: Ujkanit nuk ia jap përgjegjësinë për humbjen


Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes, u shfaq i zhgënjyer në konferencën për media, pas humbjes që Kosova pësoi nga Suedia me rezultat 0:3.

Portieri i Kosovës, Samir Ujkani, bëri një dalje të gabuar nga porta, teksa suedezët shënuan golin e parë, por trajneri i tij, Challandes nuk e fajëson atë për humbjen.

“Ujkani? Nuk është koha të mendojmë për gabimet e portierit. Kemi bërë gabime edhe më parë. Nuk ia jap përgjegjësinë vetëm një lojtari” theksoi fillimisht Challandes.

69-vjeçari tha se Kosova në pjesën e parë luajti shumë mirë, ndërsa pjesa e dytë “la shumë për të dëshiruar”.

“Nuk luajtëm keq në pjesën e parë, kishim disa raste, por pësuam dy gola. Provuam të reagojmë, por pas disavantazhit të dyfishtë, ishte shumë e vështirë. Pjesa e dytë nuk ishte e mirë, ku na mungoi edhe vetëbesimi duke mos treguar dëshirë, zjarr dhe pa zgjidhje brenda vetes” tha trajneri zviceran.

Challandes tha se është shumë e vështirë të luash kundër një ekipi si Suedia.

“Ata kishin pesë lojtarë mbi 195 centimetra, ishte shumë e vështira për ne. Ibrahimovicit është  shumë e vështirë t’ia marrësh topin, ai e pranon shumë mirë topin e parë dhe e mbron, pastaj ata kanë lojtarë tjerw shumw cilësor si Isak e Forsberg. Nuk ishte e lehtë kundër një ekipi si Suedia. Nuk kishim ide, besim, por luftuam” shtoi ai.

Ai në fund komenton për vështirësitë dhe sistemin e lojës që do të përdorë, në ndeshjen e dytë të kësaj kampanje kualifikuese, ku Kosova do të përballet me Spanjën, në Sevilla më 31 mars.

“Sistemi i lojës? Duhet të mendohem, por me cilët lojtarë do të luajmë? Nuk është e lehtë të ndryshojmë tani, sidomos kundër Spanjës kur nuk i kemi në dispozicion të gjithë mbrojtësit. Në të ardhmen po, por për momentin duhet të mendojmë për një tjetër ndeshje të vështirë. Nuk mendoj se mund ta ndryshojmë sistemin. Duhet të luajmë si ekip, ajo ka rëndësi dhe jo sistemi” përfundoi Bernard Challandes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore