Sport

Challandes: “Kosova duhet të përfaqësohet me krenari”


Në konferencën për media para ndeshjeve miqësore me San Marinon dhe Maltën, përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes, ka folur i zemëruar kur u pyet nga gazetarët për zgjedhjen e futbollistit  Andi Zeqiri, i cili së fundmi duket se ka preferuar të luajë për Zvicrën.

“Andi Zeqiri posedon dy pasaporta dhe ka pasur mundësinë që të zgjedhe dy vende për të luajtur. Në këtë rast disa lojtarë zgjedhin vendin e origjinës së tyre, kurse disa tjerë mendojnë kinse më mirë për karrierën e tyre futbollistike”, theksoi fillimisht Challandes.

Gjatë konferencës, zvicerani më pas tha federata po bënë punën e tyre, mirëpo futbollistët duhet të kenë ndjenja për të luajtur për vendin e tyre.

“Ne si Federatë dhe unë si selektor, duhet t’iu dërgojmë ftesa futbollistëve, por pastaj për ta zgjedhur Kosovën, ata duhet ta ndiejnë këtë gjë dhe të kenë nder dhe krenari për të përfaqësuar ngjyrat e shtetit të tyre”, shtoi ai.

“Ne nuk mund t’iu biem në gjunjë për ta përfaqësuar Kosovën, është thjeshtë çështje ndjenjash të luash për vendin tënd. Ne nuk jemi ndoshta ekipi më i mirë në Evropë, por kemi karakterin tonë. Duhet të kesh nder për ta përfaqësuar Kosovën, e jo të jetë një opsion i dytë”, përfundoi përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore