Shëndet

Çfarë thotë mënyra se si djersini për shëndetin tuaj?


Ilustrim

Djersitja ndihmon në balancimin e temperaturës së trupit dhe përkufizohet si lirimi i lëngjeve me bazë kripërash nga gjëndrat e djersës. Kjo është një përgjigje shumë e rëndësishme fiziologjike e organizmit ndaj temperaturës së ngritur ose aktivitetit fizik.

Te njerëzit, humbja e nxehtësisë përmes avullimit të djersës nga sipërfaqja e trupit është çelësi për rregullimin e temperaturës së trupit gjatë ekspozimit ndaj nxehtësisë së ambientit ose ushtrimeve, veçanërisht kur temperatura e ambientit është më e lartë se temperatura e lëkurës.

Megjithatë, djersitja mund të jetë edhe pasojë e disa gjendjeve emocionale, problemeve serioze shëndetësore ose për shkak të ndryshimeve hormonale mund të intensifikohet gjatë shtatzënisë ose menopauzës.

Djersë e kripur

Ashtu si lotët, është normale që djersa të jetë e kripur. Megjithatë, nëse është jashtëzakonisht e kripur aq sa të djegë sytë, atëherë kjo është një shenjë se mund të keni mungesë natriumi.

Hidratimi është një proces shumë i rëndësishëm për një trup të shëndetshëm, dhe megjithëse tingëllon e palogjikshme, mund të jeni të dehidratuar kur ju mungon natriumi në dietën tuaj.

Duhet të keni kujdes për elektrolitet që kontrollojnë nivelet e natriumit dhe kaliumit. Kjo do të parandalojë djersën super të kripur.

Djersitni pak

Trupi i të gjithëve është i ndryshëm, disa njerëz djersitin më shumë e disa më pak, dhe kjo është krejtësisht e natyrshme. Megjithatë, si çdo gjë tjetër, shumë ose shumë pak nga diçka zakonisht nuk është një shenjë e mirë.

Nëse djersitni mezi në një ditë të nxehtë vere ose gjatë vozitjes me biçikletë, kjo do të thotë që gjëndrat tuaja të djersës nuk po punojnë mirë.

Kjo është një gjendje serioze e quajtur anhidrozë dhe mund të prekë të gjithë trupin. Kjo çon në mbinxehje, rraskapitje dhe goditje të nxehtësisë, të cilat janë të gjitha alarmante dhe kërcënuese për jetën.

Djersitje e tepruar

Djersitja e tepërt quhet hiperhidrozë dhe mund të ndodhë edhe gjatë motit të ftohtë pa asnjë arsye. Mund të ndodhë edhe me gratë gjatë menopauzës.

Ndonjëherë kjo gjendje mund të jetë e rrezikshme. Nëse vëreni djersitje të shpeshta dhe humbje peshe, djersitje që ndodh zakonisht gjatë gjumit ose një ndjenjë presioni në gjoks gjatë djersitjes, atëherë është koha për të vizituar një mjek.

Me analizat e duhura, mjeku mund të përcaktojë se çfarë po ndodh dhe t’ju rekomandojë se si të përballeni me problemet.

Djersitni me një erë të pakëndshme

Ekzistojnë dy lloje të gjëndrave të djersës në trupin tonë – ekrine dhe apokrine.

Gjëndrat ekrine janë të vendosura në të gjithë sipërfaqen e trupit dhe kontrollojnë temperaturën. Djersa ekrine zakonisht nuk ka erë apo ngjyrë. Ajo përmban 99 përqin ujë, kripëra të ndryshme dhe aminoacide.

Gjëndrat apokrine janë të përqendruara ekskluzivisht në zona të caktuara, si sqetullat, rajonet intime (gjenitale), si dhe në pjesët e kokës (zonat me folikulat e qimeve) dhe sekretimi i tyre mund të stimulohet nga stresi.

Gjëndrat apokrine, të cilat aktivizohen gjatë pubertetit, prodhojnë djersë që është e pasur me proteina dhe yndyrna. Sasia e djersës apokrine është shumë më e vogël se sasia e djersës ekrine. Përbërja e tij tërheq bakteret, gjë që është arsyeja e shfaqjes së një ere të pakëndshme.

Djersa apokrine ndikon në shfaqjen e njollave të verdha në rroba. Lani zonat ku djersitni dhe mbani në mend se dieta, mjedisi dhe  ilaçet ndikojnë në erën e trupit tuaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore