Lajme

Çfarë dimë për raketat që ranë në Poloni?


Çfarë dimë për raketat që ranë dje në Poloni? Situata është në evoluim të vazhdueshëm. Ajo që ne dimë me siguri është se ato ranë në territorin polak dje pasdite gjatë një prej bombardimeve më të rënda ruse në tokën ukrainase që nga fillimi i luftës.

Goditja ndodhi në një zonë bujqësore në tokën e një ferme në kufirin me Ukrainën, në juglindje të vendit, duke shkaktuar dy të vdekur.

Bëhet fjalë për një aksion lufte kundër një vendi të NATO-s, gjë që nuk kishte ndodhur kurrë që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt, dhe që teorikisht mund të çojë në një konfrontim të drejtpërdrejtë midis Aleancës Atlantike dhe Rusisë, me rreziqe serioze për të përshkallëzuar në luftë bërthamore.

Kush qëlloi?

Është çështja kyçe që ka qenë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare që prej mbrëmjes së djeshme.

Fillimisht u dyshua se mund të ishin raketa ruse të lëshuara qëllimisht pas akuzave të vazhdueshme të qeverisë së Moskës kundër vendeve perëndimore, me Amerikën dhe Poloninë në krye, të cilat vazhdojnë të furnizojnë Ukrainën me armë dhe që për këtë arsye, sipas vetë Putin-it, tani janë “të përfshirë drejtpërdrejt” në konflikt.

Pakënaqësia ruse ushqehet nga disfatat e rënda që ushtria e saj konvencionale vazhdon të pësojë kundër ukrainasve dhe që tani është shtuar nga tërheqja nga Kherson.

Polonia mblodhi menjëherë Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes brenda natës. Tre vendet baltike – Letonia, Lituania, Estonia – shprehën menjëherë solidaritetin me Varshavën dhe drejtuan gishtin nga Moska.

Vetë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky nuk ngurroi dje të drejtonte gishtin ndaj “provokimeve” ruse. Por prej disa orësh është bërë gjithnjë e më e qartë se pista ruse ka pak themele. Për më tepër, Moska vazhdon të mohojë me vendosmëri. Ministritë e jashtme dhe ato të mbrojtjes folën për “provokim për të tensionuar situatën”, duke saktësuar se “asnjë objektiv në afërsi të kufirit polako-ukrainas nuk u godit nga armët ruse”.

Dhe gjatë natës, presidenti amerikan Joe Biden, duke folur me gazetarët në Bali, ku përmbyllet sot punimet e G20, deklaroi se duket “e pamundur” që raketat të kenë “ardhur nga Rusia”. Por Shtëpia e Bardhë specifikoi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara do të ishin të gatshme të “mbronin çdo centimetër të territorit të NATO-s”.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan theksoi se “është e mundur që ky të jetë një gabim teknik”.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, duhet të mbajë një konferencë për shtyp për të sqaruar përfundimet e hetimeve të para, duke përfshirë gjurmët e radarëve të raketave dhe llojin e fragmenteve të gjetura në tokë. Nga Varshava saktësojnë se janë “raketa të prodhuara nga Rusia”.

Raketat ruse të lëshuara nga jo-rusët, çfarë do të thotë?

Përgjigja mund të gjendet tashmë në pyetje. Nuk përjashtohet aspak, dhe me të vërtetë duket gjithnjë e më shumë e mundshme, që këto janë raketa anti-raketë të prodhuara nga Rusia të lëshuara nga avionët anti-ajrorë ukrainas për të ndaluar një sulm rus kundër infrastrukturës së saj elektrike. Agjencitë ndërkombëtare të shtypit citojnë “tre zyrtarë amerikanë” të cilët rinisin këtë hipotezë pasi lexuan përfundimet e para të hetimit paraprak. Nuk përjashtohet as që mund të jenë raketa të lëshuara nga trupat ruse në tokën e okupuar të Ukrainës, por për momentin duket e pamundur.

A kanë ukrainasit raketa ruse?

Sigurisht që kanë dhe jo vetëm raketa. Nuk duhet harruar se të gjitha armatimet bazë të ushtrisë ukrainase – nga pushkët, tanket, avionët, anijet dhe duke përfshirë mbrojtjen ajrore – vijnë nga arsenalet e vjetra të Bashkimit Sovjetik.

Të paktën në pjesën fillestare të konfliktit, dy ushtritë luftuan njëra-tjetrën me armë shumë të ngjashme. Dhe në bazën e mbrojtjes ajrore ukrainase, para se të mbërrinte ndihma perëndimore në muajt e fundit, kanë mbetur raketat e vjetra ruse S-300 tokë-ajër, të cilat megjithatë teknikët ukrainas janë përpjekur t’i përmirësojnë duke futur teknologji më të avancuara.

Nuk është për t’u habitur, që në ditët e hershme, ishin ushtritë e ish-Traktatit të Varshavës, si ajo polake, që u treguan aleatë të vlefshëm duke furnizuar Kievin me raketa, avionë, municione dhe pjesë rezervë të epokës sovjetike që ukrainasit i njihnin shumë mirë dhe prandaj ato mund të përdoreshin menjëherë në betejë.

Raketat e rëna janë S-300, të cilat nuk shkëlqejnë për saktësi dhe u furnizohen si rusëve ashtu edhe ukrainasve. Pavarësisht nëse ato u nisën nga të parët ose nga trupat ukrainase për të neutralizuar trupat e armikut, ka shumë të ngjarë gjithsesi të bëhet fjalë për një gabim.

Por kjo është pikërisht çështja.

Rreziku i daljes nga kontrolli i një situate është denoncuar prej muajsh, rreziku i një aksidenti të padëshiruar që shkakton një spirale ushtarake, duke zgjeruar konfliktin për të përfshirë një vend të NATO-s.

Ndër mundësitë që janë përmendur ka qenë ajo që një stacion bërthamor të goditet gabimisht, apo që të goditej një kolonë furnizimi me armë drejt Kiev-it në kufirin me Poloninë, ose që një raketë të bjerë jashtë kursit në territorin e Polonisë, e cila është anëtare e Aleancës.

Dhe pikërisht këto frika i shtynë komandat e larta ushtarake të Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të rihapin një kanal komunikimi muajt e fundit, me qëllim shmangien e këtij eventualiteti.

Kujtimi i krizës së raketave kubane të vitit 1962, kur SHBA-të dhe BRSS ishin pranë luftës bërthamore, përpara se të bënin një hap prapa dhe të përfundonin lojën, është ende i gjallë dhe shërben si një paralajmërim.

Tani aksidenti ndodhi. Ndaj konstatimi i çdo rrethanë me saktësi është tejet i rëndësishëm.

Në realitet, sipas ekspertëve, nëse nuk ka siguri se një sulm ka qenë i qëllimshëm apo rezultat i një gabimi, ekziston një procedurë tjetër, ajo e parashikuar në nenin 4, sipas së cilës një vend që ndihet i kërcënuar (në këtë rast Polonia) bën thirrje për konsultime të menjëhershme në kuadër të Këshillit të Atlantikut të Veriut.

Varshava po tregon gjithashtu maturinë e nevojshme. Presidenti polak, Andrzej Duda, në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp pas mesnate dhe pas një mbledhje me Byronë e Sigurisë Kombëtare në Varshavë, theksoi se nuk ka prova përfundimtare, se kush i lëshoi raketat që ranë në territor polak. Ndërsa zëdhënësi i qeverisë Piotr Müller paralajmëroi kundër përhapjes së informacionit të paprovuar.

Raketat e rëna në Poloni janë lëshuar nga Ukraina, sipas 3 zyrtarëve amerikanë

Si funksionon aktivizimi i nenit 4 të NATO-s

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore