Lajme

Çështja Navalny, SHBA sanksione Rusisë


SHBA-ja ka njoftuar se do ketë sanksione ndaj rusëve lidhur me helmimin e liderit të opozitës Alexei Navalny.

Masat shënjestrojnë një numër zyrtarësh dhe disa njësi qeveritare ruse. Këto sanksione po bashkërendohen me lëvizje të ngjashme nga BE-ja.

Që prej ngjarjeve, Moska ka mohuar kategorikisht përfshirjen në helmimin e tij dhe kundërshton përfundimet e dala nga ekspertët perëndimor të armëve, se ishte përdorur nervi Novichok.

Ata thanë se inteligjenca amerikane kishte arritur në përfundimin se qeveria ruse ishte prapa sulmit gati-fatal të agjentit nervor ndaj Navalny-t në Siberi vitin e kaluar.

Çfarë thanë zyrtarët amerikanë?

Duke folur para gazetarëve gjatë një konference të thirrur, ata thanë se shtatë zyrtarë të lartë rusë dhe 14 subjekte të përfshira në prodhimin kimik dhe biologjik ishin duke u shënjestruar nga sanksionet. Ata nuk dhanë detaje të tjera.

“Përpjekja e Rusisë për të vrarë z. Navalny ndjek një model alarmues të përdorimit të armëve kimike nga Rusia,” tha një nga zyrtarët e administratës.

Këto janë sanksionet e para të vendosura ndaj Rusisë nga administrata e Presidentit Joe Biden. Ai ka mbajtur një qëndrim më të ashpër se paraardhësi i tij Donald Trump ndaj Presidentit Putin.

Bashkimin Evropian

Në një lëvizje të koordinuar, BE-ja njoftoi të martën se kishte shënjestruar katër zyrtarë të qeverisë ruse.

Ata janë Alexandr Kalashnikov, kreu i sistemit të burgjeve ruse, Alexandr Bastrykin, kryetar i Komitetit Hetimor, Kryeprokurori Igor Krasnov dhe Viktor Zolotov, i cili kryeson Gardën Kombëtare.

Sanksionet përfshijnë ndalimet e udhëtimit dhe ngrirjen e aseteve.

Si ka reaguar Moska ndaj hapave të fundit?

Qeveria ruse u përgjigj edhe përpara se lëvizjet e SHBA-së dhe BE-së të konfirmoheshin.

Të Martën Ministri i Jashtëm Sergei Lavrov tha: “Ne kemi shprehur vazhdimisht pozicionin tonë në lidhje me sanksionet e paligjshme të njëanshme që përdoren nga kolegët e Shteteve të Bashkuara dhe ata që marrin shembull prej tyre, Bashkimi Evropian,”.

Kush është Navalny ?

Navalny është profili më i lartë dhe kritiku më serioz i Presidentit Vladimir Putin. Ai ka qenë prej kohësh fytyra më e spikatur e kundërshtimit rus ndaj sundimit të Putinit.

Ai u helmua dhe ra në koma gjatë një fluturimi në Siberi gushtin e kaluar. U dërgua më tej me aeroplan në Gjermani, ku u shërua. Në janar ai vendosi të kthehej në Rusi dhe u arrestua kur mbërriti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore