Shqipëria

Celibashi për kandidimin e Belerit: Gjërat ndryshojnë nëse dënohet me vendim të formës së prerë


Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi deklaroi se nga pikëpamja ligjore kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë Himarë, Fredi Beleri do mund të votohet më 14 maj edhe pse është arrestuar.

Lajmi u bë i ditur nga transmetuesi “News 24”, duke cituar intervistën me Celibashin.

“Arrestimi i Belerit nuk është aspak një gjë që shkon për mirë. Nuk kam koment pasi kjo lidhet me organet e drejtësisë, por nga pikëpamjet e ligjit ai mbetet kandidat dhe votuesit mund ta votojnë nëse duan. Ai nuk është i ndaluar nga gara edhe pse nuk është fizikisht aty”, theksoi fillimisht kryekomisioneri.

Sipas tij, gjërat mund të ndryshojnë në lidhje me kandidimin vetëm nëse Beleri dënohet me një vendim të formës së prerë për një vepër penale.

“Gjërat ndryshojnë vetëm nëse ai dënohet me vendim të formës së prerë për një vepër penale që nuk lejohet të kandidosh nga ligji i dekriminalizimit”, sqaroi Celibashi.

Ai shtoi se është gati çdo gjë nga ana e KQZ-së për të realizuar procesin.

Celibashi rrëfeu se çështja e transportit të bazës materiale ka qenë dhe vazhdon të jetë disi më me stres për KQZ-në.

“Do duhet ta them që është një ngarkesë e shtuar për ne edhe me votimin elektronik. Kemi edhe problematike me komisionet e qendrave të votimit. Ka komisione ende të paplota për shkak të dokumentacioneve apo tërheqjeve, etj”, shtoi kryekomisioneri. “Ne kemi punuar dhe besojmë se do kemi të njëjtën kohë të shpalljes së rezultateve si në vitin 2021, brenda 48 orëve pas mbylljes së votimeve”.

Kujtojmë që kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë Himarë, Fredi Beleri, do të mbetet në burg nën akuzën për shit-blerje votash dhe dosja e tij do t’i kalojë Prokurorisë së Posaçme SPAK.

Gjyqi i zhvilluar në Gjykatën e Vlorës tërhoqi vëmendjen e mbarë opinionit publik, duke qenë se ishte edhe incidenti më i madh zgjedhor, pas disa deklaratave që Beleri kishte bërë për “helenizimin” e Himarës, në një intervistë me gazetën greke “Protothema”.

Lidhur me këtë zhvillimi pati edhe një ballafaqim mes diplomacisë shqiptare dhe asaj greke.

Xhaçka i bën thirrje diplomacisë greke të respektojnë institucionet e pavarura shqiptare

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore