Shqipëria

Xhaçka i bën thirrje diplomacisë greke të respektojnë institucionet e pavarura shqiptare


Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri, Olta Xhaçka i ka bërë thirrje homologëve të diplomacisë greke që të respektojnë institucionet e pavarura të vendit tonë.

Lajmi u bë i ditur nga kryediplomatja shqiptare, duke cituar statusin e saj në median sociale “Twitter”.

“Është pothuajse e pamundur të kuptohet se si miqtë tanë të Greqisë kanë të drejtë të kundërshtojnë një vendim gjykate në vendin tonë, kur provat e forta që ata kërkonin nuk mund të ishin më të vështira – Fredi Beleri është kapur duke u përfshirë në veprimtari kriminale kundër zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, shkruan fillimisht ajo.

Sipas saj, nuk është i kuptueshëm se si fakti që është shtetasi grek e përjashton atë nga ligji si shtetas i Shqipërisë.

“Ne u bëjmë thirrje miqve tanë grekë të përmbahen nga deklaratat që nuk respektojnë institucionet e pavarura të vendit tonë”, u angazhua në reagimin e saj ministrja shqitpare për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Ministria e Punëve të Jashtme të Greqisë reagoi më herët përmes një njoftimi zyrtar në web-in e saj duke e cilësuar “skandaloz” vendimin e Gjykatës së Vlorës për lënien në burg të kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë Himarë, Fredi Beleri.

“Vendimi i sotëm i gjykatës së Vlorës, nëse provat nuk janë të pakundërshtueshme, është skandaloz. Arrestimi i një kandidati për Kryetar Bashkie dy ditë para zgjedhjeve nuk përbën shtet ligjor. Vendimi për ndalimin e kandidatit për Kryetar Bashkie sjell një ndryshim të plotë të rregullave të barazisë në zgjedhjet bashkiake në Himarë, qendra më e rëndësishme e pakicës kombëtare greke në Shqipëri”, shkruan diplomacia greke.

Sipas tyre, një vendim i tillë do të ndikojë edhe në marrëdhëniet e Bashkimit Evropian me Shqipërinë.

Kjo, pasi kusht i kësaj rruge evropiane “është respektimi i rregullave europiane dhe parimeve të shtetit të së drejtës nga vendet kandidate”, vëren njoftimi i MPJ-së.

“Vendime si ky i sotmi që shkelin parimet e mësipërme do të thotë se në praktikë Shqipëria nuk po ndjek rrugën evropiane”, përmbyll reagimin diplomacia greke.

Kujtojmë që kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë Himarë, Fredi Beleri, do të mbetet në burg nën akuzën për shit-blerje votash dhe dosja e tij do t’i kalojë Prokurorisë së Posaçme SPAK.

Gjyqi tërhoqi vëmendjen e mbarë opinionit publik, duke qenë se ishte edhe incidenti më i madh zgjedhor, pas disa deklaratave që Beleri kishte bërë për “helenizimin” e Himarës, në një intervistë me gazetën greke “Protothema”.

Arrest me burg për Fredi Belerin, dosja kalon në SPAK

Zbardhet skema e blerjes së votave nga Fredi Beleri, i infiltruari i Policisë e zbuloi

48 orët e Himarës – Nga helenizimi, tek arrestimi, gjithçka ngjan me të shkuarën e errët të Fredi Belerit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore