Shqipëria

Celibashi: Çdo veprim që cenon zgjedhjet në Shqipëri, do të dënohet me ligj


Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve (KQZ), Ilirjan Celibashi, të hënën e 29 marsit ka deklaruar se, çdo veprim që cenon zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, do të dënohet me forcën e ligjit.

Nëpërmjet një statusi në median sociale Twitter, ai shkruan se “KQZ dhe organet ligjzbatuese do të dënojnë me forcën e ligjit çdo veprim që cenon zgjedhjet e 25 prillit, 2021”.

Në videon e publikuar, KQZ lajmëron se shitja dhe blerja e votës do të dënohen nga një deri në pesë vjet burgim.

Po ashtu, fotografimi i votës dhe shfaqja te të tjerët, sipas ligjit, do të dënohen nga tre muaj deri në tre vjet burgim.

Votimi familjar apo i dyfishtë dënohet nga një deri në tre vjet burgim.

Për marrjen ose dhënien e dokumentit të identifikimit për të penguar votimin, apo për të votuar në mënyrë të paligjshme, dënimi do të jetë nga gjashtë deri në shtatë vjet burg.

I njëjti dënim do të jetë dhe në rastin kur kanoset apo detyrohet për të votuar ose jo, dhe falsifikimi apo dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor.

KQZ u bën thirrje qytetarëve, që nëse vërejnë shkelje të ligjit, të denoncojnë menjëherë në organet ligjzbatuese.

Për çdo informacion më të detajuar, qytetarët mund të klikojnë në faqen e kqz.gov.al.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore