Sport

Ceferin: Nuk duhet quajtur Superligë, por Liga e tmerrshme


Aleksander Ceferin ka sulmuar edhe një herë anëtarët themelues të Superligës – Real Madrid, Barcelona dhe Juventus, duke theksuar se projekti i tyre është i destinuar të dështojë.

Presidenti i UEFA-s bëri gjithashtu të qartë se tre klubet e sipërpërmendura nuk do të trajtohen në mënyrë të padrejtë gjatë pjesëmarrjes në garat e organizuara nga organi drejtues i futbollit evropian.

“Nëse ata vendosin se UEFA është një monopol, të tre klubet mund të luajnë UEFA-n e tyre, të luajnë garat e tyre”, tha Ceferin.

“Pse duan të qëndrojnë në turnet tonë? Ata duan të jenë këtu dhe atje, por ‘atje’ nuk ekziston. Mendoj se ata besojnë se bota është e sheshtë”.

“Atëherë le të ndalojmë së quajturi Superliga, le ta quajmë si është: Liga e tmerrshme. Por edhe nëse kemi probleme me ato tre ekipe, të gjithë në fushë do të kenë gjithmonë të njëjtat të drejta. Garat tona janë të shëndetshme, pa preferencë”.

Ceferin vazhdoi të diskutojë për konfliktin e vazhdueshëm mes Rusisë dhe Ukrainës, duke e krahasuar atë me luftërat ballkanike në vitet 1990.

“Kjo është një luftë mes vëllezërve”, shtoi ai.

“Janë të paprivilegjuarit ata që vuajnë, jo politikanët. Në Jugosllavi askush nuk bëri asgjë, ishte e tmerrshme. Për ne sllovenët kjo zgjati, për fat, vetëm 10 ditë. Dhe jo, nuk kam shumë për të thënë, isha 23 vjeç në atë kohë”.

Presidenti i UEFA-s diskutoi gjithashtu vendimet për ndërprerjen e partneritetit me Gazprom dhe pezullimin e klubeve dhe ekipeve ruse nga të gjitha garat.

“Financiarisht, kjo ndikon shumë”, vuri në dukje Ceferin.

“Për ne është një goditje në portofol, por njerëzit po vriten. Unë flas çdo ditë me Andriy Pavelkon, presidentin e federatës ukrainase.

Unë paralajmërova Alexander Dyukov nga Federata Ruse e futbollit përpara se të vendos. Nuk jam frikacak”, përfundoi Ceferin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore