Lajme

Çeçenët në kufirin mes Kroacisë dhe Bosnjës po abuzojnë me rregullat për ofrimin e azilit, thotë ministri kroat


Davor Bozhinoviç

Zëvendëskryeministri i Kroacisë dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Davor Bozhinoviç, në një konferencë për media konfirmoi se dhjetëra çeçenë janë duke qëndruar pranë kufirit mes Kroacisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës me synimin për të kërkuar azil në Kroaci.

Çeçenët që nuk duan të shkojnë në luftë në Ukrainë fluturuan nga Rusia nëpërmjet Turqisë për në Bosnjë dhe Hercegovinë, nga ku po përpiqen të futen në territorin e Kroacisë.

Bozhinovic theksoi se ata kanë hyrë në Sarajevë duke shfrytëzuar regjimin pa viza që ky shtet në Ballkanin Perëndimor ka me Rusinë dhe numri i emigrantëve që dëshirojnë të futen në shtetet e Bashkimit Evropian është rritur në mënyrë drastike.

Ai konfirmoi gjithashtu se shtetasit rusë hyjnë në Bosnje dhe Hercegovinë si turistë, pas së cilës kthehen në njerëz që duan të hyjnë në territorin e BE-së dhe paraqesin kërkesë për mbrojtje ndërkombëtare.

“Çeçenët që tentojnë të hyjnë në Kroaci po abuzojnë me rregullat për dhënien e azilit”, potencoi Bozhinoviç dhe vuri në pah se kjo mund të shmanget duke harmonizuar politikën e vizave të Bosnjës dhe Hercegovinës me BE-në, gjë që, sipas tij, duhet ta bëjë në mënyrë evropiane.

“Ju kujtoj se vendet që kanë ambicie për t’u bërë anëtarë të BE-së, ndër të tjera, duhet të harmonizojnë politikën e tyre të jashtme dhe të sigurisë me BE-në dhe në këtë kontekst edhe regjimin e vizave”, shtoi ai.

Gjithashtu, ministri kroat theksoi se sipas informacioneve në dispozicion, bëhet fjalë për persona që hyjnë në Bosnje dhe Hercegovinë si turistë me një çertifikatë për akomodim në hotele apo të ngjashme.

“Nga një këndvështrim thjesht formal, sigurisht që ky është një abuzim me procedurat që kanë të bëjnë me mbrojtjen ndërkombëtare, të drejtën e azilit etj”, pohoi ministri.

Bozhinoviç përsëriti se këtë vit ka pasur një rritje të përpjekjeve të paligjshme për të kaluar kufirin kroat.

“Jam i sigurt se nuk do të kishim rritje këtë vit. Ndoshta do të kishim më pak përpjekje të paligjshme për të hyrë në territorin e Kroacisë – nesër në territorin e Shengenit – se sa kishim vitin e kaluar”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore