Lajme

Çavuşoğlu: Gjermania “humbi paanshmërinë” në ndërmjetësimin mes Ankarasë dhe Athinës


Ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu deklaroi se Gjermania kohët e fundit ka humbur paanshmërinë e saj.

Kjo, në rolin e saj si ndërmjetës midis Turqisë, Greqisë dhe Qipros.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia “Reuters”.

“Ne duam që Gjermania të mbajë pozicionin e saj të ekuilibruar për çështjen e Mesdheut Lindor dhe Detit Egje”, u shpreh fillimisht Çavuşoğlu.

Sipas tij, vendet e treta, përfshirë Gjermaninë, nuk duhet të jenë një mjet për provokime dhe propagandë, veçanërisht nga ana e Greqisë dhe pala greke qipriote.

Duke folur në një konferencë shtypi së bashku me homologen gjermane Annalena Berbock në Stamboll, Cavusoglu shtoi se Berlini duhet t’i dëgjojë të dyja palët “pa paragjykime”.

Qiproja u bë e pavarur nga Britania e Madhe në vitin 1960.

Britania e Madhe, Greqia dhe Turqia vepruan si garantues të sovranitetit të ishullit.

Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, marrëdhëniet midis komuniteteve etnike “greke” dhe “turke”, të cilat mbështeteshin nga vendet përkatëse, u tensionuan.

Në vitin 1974, pushteti u kap nga puçistët që donin ta bashkonin ishullin me Greqinë.

Për të “mbrojtur turqit”, Ankaraja dërgoi trupa në pjesën veriore të ishullit, pas së cilës dërgoi trupat e saj edhe Greqia dhe filloi një luftë, si rezultat i së cilës vdiqën rreth 15 mijë ushtarë nga të dy palët.

Në vitin 1983, 40 për qind e territorit të pushtuar nga Turqia e shpalli veten “shtet të pavarur” nga pjesa tjetër e ishullit.

Aktualisht, Republika Turke e Qipros Veriore (TRNC) njihet vetëm nga Turqia dhe shpenzon qindra milionë euro çdo vit për ta mbështetur atë.

Pesë sekretarë të përgjithshëm të OKB-së janë përpjekur tashmë të “bashkojnë” ishullin.

Por Turqia nuk dëshiron të tërheqë trupat nga atje.

Përveç kësaj, në vitin 2018, në brigjet e Qipros u gjetën rezerva të mëdha gazi dhe nafte dhe në rast bashkimi, Turqia mund të humbasë aksesin në to.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore