Kosova

Cavoli: Sulmi në Banjë paraqiti kërcënimin më të madh që nga lufta – roli i Serbisë në operacionet ruse mbetet i diskutueshëm


Christopher Cavoli

Christopher Cavoli, gjenerali amerikan dhe komandati i forcave aletate të NATO-s për Evropën, tha se sulmi ndaj Policisë së Kosovës vitin e kaluar në Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të vendit dhe grumbullimi i paprecedentë i ushtrisë serbe përgjatë kufirit, paraqitën kërcënimin më të lartë që nga fundi i luftës në vitin 1999.

Gjatë raportimit para Komitetit të Senatit të Shteteve të Bashkura të Amerikës (SHBA) për Shërbimet e Armatosura më 10 prill 2024, gjenerali amerikan theksoi se në rrjedhën e tensionuar të marrëdhënieve në Ballkanin Perëndimor kontribuoi edhe Rusia që synon ta destabilizojë rajonin: “Rusia mund të mos jetë vetëm; roli i Serbisë mbetet i diskutueshëm”.

“Sulmet ndaj Policisë së Kosovës dhe një grumbullim i trupave serbe në kufirin e veriut të Kosovës paraqitën kërcënimin më të lartë të dhunës ndërshtetërore që nga fundi i luftës në vitin 1999 dhe ilustruan nivelin shqetësues të destabilitetit në rajon”, nënvizoi Cavoli, derisa përmendi shtimin e trupave në kuadër të Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR).

“Aleanca është duke e rivlerësuar përqëndrimin e forcës në misionin paqeruajtës në Kosovë për t’iu përgjigjur mjedisit të ri të kërcënimit. Tensionet etnike në Bosnjë dhe Hercegovinë gjithashtu kanë potencialin për të përshkallëzuar dhe destabilizuar rajonin e Ballkanit Perëndimor”, shtoi gjenerali amerikan duke folur për sfidat e sigurisë në kontinentin evropian.

E në vorbullën e zhvillimeve aktuale, në raportin e përvjetshëm të vlerësimit të kërcënimeve globale, intelegjenca amerikane paralajmëroi ngritje të nivelit të rrezikut nga përshkallëzimi i dhunës në Ballkanin Perëndimor edhe përgjatë vitit 2024, derisa u përmenden tensionet midis Kosovës dhe Serbisë në pjesën veriore të vendit që karakterizuan rajonin gjatë vitit 2023.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore