Sport

Castillejo pritet të rikthehet në La Liga


Futbollisti i Milan-it, Samu Castillejo, është shumë pranë rikthimit në La Liga-n spanjolle, aty ku shkëlqeu para se të transferohej në Itali.

Sipas raportimeve të fundit nga mediat italiane, klubi i Valencia-s është afër që të transferojë sulmuesin anësor.

Spanjolli nuk është në planet e trajnerit të Milan-it, Stefano Pioli-t dhe prej kohësh është i lidhur me largimin nga kuqezinjtë.

27 vjeçari aktualisht ka kontratë me klubin e Milan-it deri në qershor të vitit të ardhshëm.

Sipas asaj që shkruan “Sky Sport Italia” dhe “Calciomercato.com”, Castillejo mund të transferohet në “Estadio Mestalla” në formë huazimi me një opsion blerjeje.

Bisedimet mes dy klubeve janë duke vazhduar dhe kuqezinjtë shpresojnë të finalizojnë marrëveshjen në orët në vijim.

Kujtojmë që Castillejo këtë sezon është aktivizuar fare pak nga trajneri Pioli. Ai ka luajtur vetëm në pesë ndeshje në Serie A (të gjitha nga stoli) prej të cilave ka dhuruar dy asistime.

Ndërkaq, 27 vjeçari iu bashku Milan-it nga skuadra e Villareal-it për shumën e 21 milionë eurove gjatë verës së vitit 2018.

Ai ka shënuar dhjetë gola dhe ka dhuruar 15 asistime në 113 paraqitje me gjigantët e Serie A gjatë tre viteve e gjysmë në klub.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore