Sport

Caragher: Xhaka është futbollist i mirë, por shkaktoi një faull qesharak


Arsenal-i u përball me Liverpool-in në udhëtim, në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Carabao Cup, e cila përfundoi me rezultat 0:0.

Futbollisti me origjinë shqiptare, Granit Xhaka, e la ekipin e tij me një lojtar më pak në fushë, pasi që u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 24-të, teksa gaboi në një ndërhyrje ndaj sulmuesit të Liverpool-it, Diogo Jota-s.

Pas kësaj ndeshje nuk munguan as kritikat për Xhakën, ku njëri prej tyre ishte ish-legjenda e Liverpool-it, Jamie Carragher, i cili tha se Xhaka shkaktoi një faull qesharak.

“Faulli që Xhaka i bëri Jota-s ishte qesharak, duke qenë se sulmuesit i duhej edhe shumë punë për të shënuar gol dhe nuk ishte rrezik i madh në ato kushte”, theksoi Carragher.

Granit Xhaka kur shkaktoi faull ndaj Diogo Jota-s

“Kartoni i kuq ishte më se i merituar, pasi që ai ndërhyri me shumë forcë dhe ishte futbollisti i fundit, por e përsëris që Jota do ta kishte të vështirë për të finalizuar aksionin”, shtoi ish-futbollisti i “the reds”.

Tutje Caragher tha fjalë të mira për futbollistin e përfaqësueses së Zvicrës, mirëpo përsëri theksoi se Xhaka është një futbollist me përvojë, të cilën duhet ta dëshmojë në fushën e lojës.

“Xhaka është futbollist i mirë dhe këtë e kemi parë edhe me Zvicrën, por problemi është te besueshmëria, pasi që nëse mbetesh me 10 lojtarë në ‘Anfield’, atëherë kjo mund të kushtojë me eliminim nga gara”, shtoi Jamie.

Jamie Carragher

“Edhe ndaj Manchester City-t Xhaka u bë faktor me një penallti të shkaktuar. Tashmë ai nuk është një djalosh që ka për të mësuar, ai është një nga lojtarët më me eksperiencë në Arsenal”, tha mes tjerash Jamie Carragher.

Kujtojmë që Xhaka është një nga futbollistët më me përvojë te skuadra e Arsenal-it, i cili ka besim të plotë nga trajneri i “topçinjve”, Mikel Arteta.

Mirëpo, me kartonin e kuq të marrë, Xhaka do të mungojë edhe në ndeshjen e kthimit ndaj Liverpool-it, e cila do të zhvillohet një javë më vonë në stadiumin “Emirates” të Londrës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore