Muzikë

Capital T publikon dy këngë dashurie brenda një projekti të vetëm


Capital T - Rep artist

Rep artisti shqiptar, Capital T, e ka publikuar video projektin më të ri muzikor të përbërë nga dy këngë brenda një vepre të vetme, një trend i përdorur nga shumë artistë së fundmi.

Projekti i titulluar “Për ty x Dy zemra”, paraqet dy këngët e paralajmëruara kohë më parë por që si dhuratë për publikun u shfaqën në Ditën e të Dashuruarve.

Capital T.

Kënga e parë “Për ty” është publikuar me një video klip të animuar, përshtatur temës së dashurisë, ndërkohë që kënga tjetër “Dy zemra”, e ka sjellë rep artistin me plot stil klasik të influencuar nga dekada më parë.

Dhe jo vetëm stili – kënga po ashtu është një version i ri, i hitit të dikurshëm të famshëm për frazën – “në bankat shkollore moj mike, dy zemra u deshën dikur”, e cila është në autorësi të grupit Corona.

Sigurisht, të dy këngët i kushtohen dashurisë – ashtu siç edhe e konfirmon data e tyre e publikimit, teksa video klipet janë realizuar nga kompania artistike “Gargia Global”.

Edhe me këtë projekt, ylli i hitit “Ma e mira”, duket se do të shënojë sukses, bazuar edhe në shifrat e klikimeve, ku për më pak se 24 orë, ai ka arritur të grumbullojë afro 200 mijë sosh në platformën YouTube.

Gjithsesi, YouTube nuk është i vetmi vend ku publiku mund t’i dëgjojë këngët e reja të Capital T, pasi që të njëjtat janë publikuar edhe në platformat e tjera, përfshirë gjigandin, Spotify.

Capital T e ka startuar vitin në mënyrën më të mirë sa i përket projekteve muzikore. Vetëm para tre javësh, ai kishte publikuar video klipin e këngës “Përjetësisht”, e cila u pëlqye dhe rezervoi kritika pozitive në publikun e gjerë të rep artistit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore