Lajme

Cakolli nga Demokracia në Veprim: Pamundësi e institucioneve për të garantuar proces zgjedhor gjithëpërfshirës


Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim (DnV) ka thënë se zgjedhjet në veri po karakterizohen me atmosferë të qetë, si shkak i mungesës së votuesve.

“Po flasim për numra njëshifrorë, e madje në qendra të ndryshme të votimit edhe asnjë votues serb, të cilët nuk e kanë ushtruar të drejtën e tyre të votës, të paktën deri në këtë kohë”, tha ai për KosovaPress.

“Kjo tregon edhe një herë për mangësitë që ka procesi zgjedhor si dhe pamundësisë së institucioneve tona për të garantuar një proces, i cili do të ishte gjithëpërfshirës, përkatësisht kur do të ofrohej mundësitë në kuptim të situatës së sigurisë që të marrin pjesë edhe votuesit nga radhët e komunitetit serb, të cilët për shkak të presioneve, mungesës së interesimit, por edhe mungesës së kandidatëve nga radhët e komunitetit serb, të cilën kanë vendosur që të mos marrin fare pjesë në procesin e votimit”, shtoi ai.

Nga monitorimet në qendrat e votimit, Cakolli ka thënë se nuk kanë vërejtur parregullsi, derisa ka theksuar se në Komunën e Leposaviqit dhe atë të Zveçanit vërehet në afërsi të qendrave të votimit një prezencë e shtuar e njësive të KFOR-it dhe forcave të EULEX-it.

Nga 45 mijë e 95 qytetarë me të drejtë vote në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, të drejtën e tyre në zgjedhjet e jashtëzakonshme e kanë shfrytëzuar vetëm 1 mijë e 92 veta, apo vetëm 2.42 për qind e votuesve, deri në orën 15:00.

Si kishte ardhur deri tek këto zgjedhje?

Zgjedhjet për katër kryetarë komunash veriore të Kosovës dhe dy asamble komunale do të duhej të mbaheshin në dhjetor të vitit të kaluar, por ato u shtynë për 23 prill të këtij vit, pas kërkesës së ndërkombëtarëve që të mos vazhdohet tutje me procedura të rregullta, meqë situata në terren nuk e mundësonte.

Nevoja për zgjedhje lindi pasi në mënyrë të organizuar Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, tërhoqi kryetarët e komunave, deputetët, ministrat dhe gjithë stafin administrativ nga institucionet e Kosovës.

Largimi nga institucionet u bë si shenjë proteste për disa shkarkime që ndodhën në radhët e policisë, përfshirë komandantin serb të stacionit në veri, meqë ata nuk i përfillen urdhrat e dhëna me vendim qeveritar, për gjobitjen e të gjitha veturave me targa ilegale “KM”.

Më pas, kur qeveria u pajtua ta shtyjë zbatimin e vendimit, Lista Serbe u deklaruar se si kusht për t’u kthyer në institucionet kanë fillimin e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Kosova është pajtuar që ta themelojë Asociacionin me Marrëveshjen për Rrugën Drejt Normalizimit të Raporteve me Serbinë, por Lista Serbe prapë refuzoi të regjistrohet në Komisionin Qendror Zgjedhor për t’u futur në listë të partive që garojnë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore