Lajme

Cakolli e quan “shkelje të ligjit” refuzimin e kërkesës për largimin e Atiqit


Eugen Cakolli.

Hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, ka deklaruar se kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Ugljanin, e ka shkelur ligjin duke refuzuar kërkesën e qytetarëve për largimin e kryetarit Erden Atiq.

Cakolli, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se s’ka asnjë kompetencë për vlerësimin e pranueshmërisë së kërkesës, e as për refuzimin e saj.

“Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, e ka shkelur ligjin dhe aktet tjera, me vendimin për refuzim të kërkesës së qytetarëve për largim të kryetarit të komunës”.

“Kryesuesi nuk ka asnjë kompetencë, as sipas ligjit as sipas udhëzimit administrativ, për vlerësimin e pranueshmërisë së kërkesës, e aq më pak refuzimit të saj. Roli i kryesuesit është krejt simbolik dhe vetëm njoftues i instancave tjera”, ka shkruar Cakolli.

Ashtu siç edhe ishte paralajmëruar, kërkesa e qytetarëve serbë për inicimin e peticionit për shkarkimin e kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, nuk është pranuar, për shkak se e njëjta nuk ka qenë në përputhje me atë se çfarë parasheh Udhëzimi Administrativ.

Albanian Post ka siguruar dokumentin që u është dërguar grupit nismëtar, ku u është bërë me dije edhe arsyeja e mospranimit të kërkesës së tyre.

Vendimi

“Kjo kërkesë nuk pranohet nga kryesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës Veriore, për shkak se kërkesa nuk është në përputhje me Udhëzimin Administrativ MAPL nr.02/2023 për largimin e Kryetarit të Komunës nga funksioni”, thuhet në vendimin e siguruar nga AP.

Për këtë, AP ka kontaktuar edhe Kryesuesin e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Ugljanin, i cili konfirmoi mospranimin e kësaj kërkese, derisa tregoi edhe arsyet që e kanë çuar për të marrë një vendim të tillë.

“Nuk është pranuar kërkesa. Ata janë të obliguar që t’i plotësojnë kushtet sipas Udhëzimit Administrativ, sepse ata kanë bërë disa gabime”, tha fillimisht Ugljanin.

“Ata kanë qenë të obliguar për njoftim të kryesuesit për formimin e grupit iniciues, dhe ai grupi iniciues duhet që përmes Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) të regjistrohet, shtoi.

Mirëpo, siç bënë me dije Ugljanin, grupi iniciues së ka bërë këtë hap, që parashihet në Udhëzimin Administrativ – i hartuar nga Qeveria e Kosovës.

“A e kanë bërë qëllimisht, s’merrem me këto çështjet politike, por unë veproj sipas ligjshmërisë dhe sipas Udhëzimit Administrativ dhe duke u referuar në këto ia kam kthyer përgjigjen negativisht”, pohoi ai.

Se do të refuzohej kërkesa e grupit nismëtar për inicimin e peticionit për shkarkimin e kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Ugljanin kishte bërë me dije për AP, më 7 dhjetor, në ditën kur serbët kishin bërë kërkesën.

Pos Mitrovicës së Veriut, serbët kanë dorëzuar edhe në Zubin Potok kërkesën për inicim të peticionit për shkarkimin e kryetarit shqiptar të kësaj komune, Izmir Zeqiri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore