Lajme

Cakolli: E papranueshme që Todosijeviç të mbetet deputet i Kuvendit të Kosovës


Eugen Cakolli

Eugen Cakolli nga Instituti i Kosovës për Demokraci, e sheh si paradoksale se si Ivan Todosijeviç nga Lista serbe gjatë ditë së martë me vendim të Komisionit Qendror Zgjedhor e ka humbur mandatin si anëtar i zgjedhur i kuvendit komunal të Zveçanit, e në anën tjetër vijon të jetë deputeti i Kuvendit të Kosovës.

Sipas tij kjo gjë vjen si rezultat i mungesës së ndërveprimit institucional në mes të Kryetarit të Kuvendit, Presidentes së Kosovës dhe KQZ-së.

“Sipas kësaj logjike, nuk mund të jesh anëtar i kuvendit komunal kur je i dënuar, por si i tillë mund të jesh deputet në institucionin më të lartë vendimmarrës në vend. Kjo është e papranueshme dhe, siç ka konstatuar më parë Gjykata Kushtetuese, sërish shpërfaqë të meta serioze në garantimin e ligjshmërisë dhe integritetit të veprimtarisë parlamentare”, ka shkruar Cakolli në Facebook.

Ivan Todosijeviç

Ndryshe KQZ gjatë ditës së martë ka vendosur që të zëvendësojë kandidatin e Listës Serbe, Ivan Todosijeviç i certifikuar si asamblist i zgjedhur për kuvendin komunal të Zveçanit me kandidatin tjetër nga Lista Serbe, Marko Stefanoviç, për arsyen se ky i pari është i dënuar për vepër penale.

“Neni 29 i ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, pika Q, specifikon se kandidat nuk mund të jetë një person i cili është i dënuar me vendim të formës së prerë për vepër penale gjatë tri viteve të fundit”, thuhet në njoftim

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore