Shqipëria

Cakaj pas takimit me ambasadorin e Kosovës në Holandë: Në Hagë duhet të shkojë Serbia, jo Kosova


Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ka zhvilluar një takim me Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Holandë, Lirim Greiçevci, për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit nga Gjykata Speciale.

Përmes një postimi në Facebook, ai bëri thirrje për drejtësi nga ana e palës gjykuese duke kërkuar hetim ndaj Serbisë për krimet kundër njerëzimit, spastrimin etnik dhe gjenocidin në Kosovë.

“Ndërkohë, krimet kundër njerëzimit, spastrimi etnik dhe gjenocidi i Serbisë në Kosovë, jo vetëm që nuk janë hetuar mjaftueshëm, por sot ato përgjithësisht nuk përmenden fare dhe bashkësia ndërkombëtare kryesisht qëndron e heshtur para tyre”, është shprehur Cakaj në Facebook.

Duke marrë parasysh gjykimet ndaj Kosovës ndër vite nga ana e strukturave të ndryshme si: UNMIK-u, EULEX-i, Tribunali i Hagës apo organe të ndryshme të drejtësisë vendore, Cakaj i ka gjykuar si të njëanshme shënjestrimet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe shtetit të Kosovës në këtë proces nga ana e palës gjykuese.

Ministri Cakaj e ka përfunduar duke vendosur theksin te mbështetja dhe solidariteti i Shqipërisë për Kosovën në këtë periudhë të vështirë që po kalon./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore