Shëndet

Burrave po u zvogëlohet


Çrregullimi i planetit tonë, tani po ngatërron pjellorinë e grave, numrin e spermës së burrave dhe madhësinë e penisit.

Një libër i ri, shumë i diskutuar nga Dr. Shanna H. Swan, e cila është një epidemiologe e njohur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, lidh përdorimin e kimikateve industriale në produktet e përditshme, duke shkaktuar kështu numër më të ulët të spermatozoideve dhe penis më të vogël.

Bota jonë moderne, po kërcënon numërimin e spermatozoideve, duke ndryshuar zhvillimin riprodhues të meshkujve dhe femrave, gjithashtu duke rrezikuar të ardhmen e racës njerëzore.

Në vitin 2017, Swan ishte bashkë autore e një studimi që zbuloi se numri i spermatozoideve në Perëndim kishte rënë me 59 për qind mes vitit 1973 dhe 2011.

Në librin e saj, Swan eksploron sesi një numër i ulët i spermatozoideve, nivele të ulëta të lindshmërisë dhe tkurrja e penisit është e lidhur me një fajtor të përbashkët: kimikatet.

“Kimikatet në mjedisin tonë dhe praktikat jo të shëndetshme të jetës në botën moderne, po prishin ekuilibrin hormonal, duke shkaktuar shkallë të ndryshme të shkatërrimit riprodhues”, shkruan ajo.

Swan gjithashtu ndau gjetjet e saj mbi normat e lindshmërisë. “Në disa pjesë të botës, mesatarja e një gruaje 20 vjeçare, sot është më pak pjellore sesa ishte gjyshja e saj në moshën 35 vjeçare”, gjithashtu shtoi se një burrë mund të ketë gjysmën e spermës së gjyshit të tij.

Studimi i fundit i Swan thotë se ndotësit dhe kimikatet, zvogëlojnë cilësinë e spermës dhe çojnë në zvogëlimin e madhësisë së penisit dhe vëllimit të testiseve. Ajo këtë e quan një “krizë ekzistenciale globale” dhe paralajmëron se kjo mund të kërcënojë mbijetesën njerëzore.

Në kolonën e saj për “The Guardian”, aktivistja e mjedisit Erin Brockovich diskutoi gjithashtu librin dhe tregoi ekspozimin ndaj “kimikateve të përhershme” dhe mënyrën se si ato gjenden zakonisht në elektronikë, plastikë, mbështjellje ushqimi dhe produkte pastrimi.

“Disa prej tyre, të quajtura PFAS, njihen si” kimikate të përhershme” sepse nuk prishen në mjedis e as në trupin e njeriut. Thjesht grumbullohen duke bërë gjithnjë e më shumë dëm, minutë pas minute, orë pas ore, ditë pas dite, dhe tani, me sa duket, njerëzimi po arrin një pikë ku mund të thyhet.

Nëse keni menduar se ky ishte një lajm i keq, kemi edhe ca të tjera. Kimikatet dhe ndotësit gjithashtu mund të ndikojnë në epshin e dikujt.

“Po, ne gjetëm një marrëdhënie midis niveleve të ftalatit (ftalatet janë një grup kimikatesh që përdoren për t’i bërë plastikat më të qëndrueshme) të grave dhe kënaqësisë së tyre seksuale”, tha Swan për “The Intercept”.

“Studiuesit në Kinë zbuluan se punëtorët me nivele më të larta të bisphenol A, i njohur zakonisht si BPA(është një shqetësim për shkak të efekteve të mundshme shëndetësore në tru dhe gjëndrën e prostatës të fetuseve, foshnjave dhe fëmijëve), në gjakun e tyre kishin më shumë gjasa të kishin probleme seksuale, duke përfshirë dëshirën e zvogëluar”.

Sipas hulumtimit të Swan, “BPA”, “ftalati”, “parabenet” dhe “atrazina” janë fajtorët kryesorë që ndikojnë në uljen e epshit dhe të pjellorisë.

Këto janë kimikate që gjenden zakonisht në plastikë, pastë dhëmbësh dhe produkte bukurie. Ato veprojnë si përçarës endokrinë që çojn në lindje të parakohshme, koeficient të inteligjencës më të ulët, mbipeshë dhe madhësi më të vogël të penisit.

Mund të jetë e vështirë të shmangeni këto kimikate pasi ato shpesh nuk gjenden në etiketa të produkteve.

Një studim i vitit 2018 nga shkencëtarët e Melburnit konfirmoi se kimikatet në plastikë po çojnë në defekte gjenitale tek foshnjat meshkuj.

Në vitin 2020, studiuesit nga agjencia kombëtare e shëndetit publik të Francës zbuluan se djemtë e rinj që jetonin në rajone të ndotura, ku zhvillohej miniera e thëngjillit kishin dy herë më shumë gjasa të kishin një testikul të zbritur.

Swan paralajmëron se pjelloria e reduktuar dhe kimikatet toksike mund të ndikojnë keq në brezat e ardhshëm.

“Nëse jeni shtatzënë dhe po mbani një djalë, kimikatet ndaj të cilave jeni të ekspozuar mund t’i kalojnë atij përmes placentës. Pra, qelizat embrionale që do të krijojnë fëmijët e tij janë prekur tashmë. Plus që djali është i ekspozuar ndaj kimikateve përsëri si i rritur. Është një model me dy goditje ”, tha ajo.

“Kjo është arsyeja pse ne kemi këtë rënie të vazhdueshme të pjellorisë dhe cilësisë së spermës. Nëse nuk do të kishim një goditje nga prindërit dhe gjyshërit tanë, atëherë secila gjeneratë thjesht do të fillonte nga e para. Do të ishte keq, por ndikimi do të ishte në të njëjtin nivel çdo herë. Fakti që ne kemi me vete problemet e brezave të kaluar do të thotë që ne po fillojmë në një nivel më të ulët dhe po goditemi përsëri e përsëri”.

Pra, a jemi të obliguar të shohim brezat e ardhshëm të rriten me zgjatje gjithnjë e më të vogla, apo ka ndonjë gjë që mund të bëjmë?

Sipas Swan, blerja e produkteve organike dhe përdorimi më i pakët i plastikës në jetën e përditshme do të ndihmojë në eliminimin e kimikateve.

Nëse jo për mjedisin, atëherë është koha për të luftuar ndotjen për hir të mbrojtjes të civilizimit njerëzor.

Siç shkruan Swan, “Ne duhet të bëjmë çfarë të mundemi për të ruajtur pjellorinë tonë, fatin e njerëzimit dhe planetin”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore