Lajme

Brukseli bën thirrje për t’i dhënë fund mbështetjes së BE-së nga gazi rus


Komisioni Evropian ka thënë se Bashkimi Evropian (BE) mund të zvogëlojë varësinë e saj nga gazi rus me dy të tretat këtë vit dhe t’i japë fund varësisë së saj nga furnizimet ruse “shumë përpara vitit 2030”.

Llogaritjet u përcaktuan në një dokument politikash mbi çmimet e energjisë të botuar të martën, por do të bëhen realitet vetëm nëse 27 vendet anëtare të BE-së ndjekin rekomandimet.

Frans Timmermans, nënkryetari i Komisionit Evropian i ngarkuar për tranzicionin energjetik të bllokut, tha se BE-ja duhej të bëhej më e pavarur në zgjedhjet e saj energjetike.

“Burimet e rinovueshme janë një burim i lirë, i pastër dhe potencialisht i pafund energjie dhe në vend që të financojnë industrinë e karburanteve fosile diku tjetër, ato krijojnë vende pune këtu. Lufta e Putin-it në Ukrainë tregon urgjencën e përshpejtimit të tranzicionit tonë të energjisë së pastër”, theksoi ai.

Ai vijoi se, “Komisioni po u bën thirrje vendeve anëtare të BE-së që të rrisin efikasitetin e energjisë dhe të përshpejtojnë kalimin drejt burimeve të rinovueshme të planifikuar tashmë sipas marrëveshjes së gjelbër të BE-së”.

Më vete, krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së janë të gatshëm të zotohen të “përfundojnë varësinë tonë nga importet e gazit, naftës dhe qymyrit rus”, sipas një draft deklarate që liderët do të diskutojnë në një samit në Versajë të enjten dhe të premten.

Ky tekst është pak më shumë se një rideklarim i politikës ekzistuese: BE-ja tashmë ka premtuar të arrijë zero emetime neto të karbonit deri në vitin 2050.

Kjo është dita e 13-të e luftimeve mes Rusisë dhe Ukrainës. Kjo e fundit ka bërë një rezistencë të lartë kundër trupave dhe bombardimeve ruse.

Më shumë se 2 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina që nga fillimi i sulmit rus në Ukrainë, sipas Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët dhe mbi 11 mijë ushtarë rusë kanë humbur jetën.

Ndërsa të paktën 474 civilë, përfshirë 29 fëmijë, janë vrarë në Ukrainë që nga fillimi i sulmit rus më 24 shkurt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore